Pas gjysmë shekulli përpjekje për parandalimin e luftërave, është një pyetje që ende vazhdoj ta kem: Si të përballemi me dhunën ekstreme pa u kundërpërgjigjur me forcë? Kur ke të bësh me brutalitet, qoftë një fëmijë përballë një ngacmuesi në parkun e lojërave apo dhuna në familje - apo sot, në rrugët e Sirisë, përballë tankeve dhe shrapnelave, cila është gjëja më efektive që duhet bërë? Të kundërpërgjigjesh? Të dorëzohesh? Të përdorësh më shumë forcë? Këtë pyetje: "Si të përballem me një agresor pa u bërë edhe vetë kriminel"? vazhdoj ta kem që nga fëmijëria. Më kujtohet kur isha rreth 13 vjeç, po shihja ne një televizor bardhë e zi me miza në dhomën e prindërve teksa tanket sovjetike u futën në Budapest, dhe disa fëmijë jo shumë më të mëdhenj se unë hidheshin në drejtim të tankeve dhe masakroheshin. Unë vrapova shkallëve dhe fillova të paketoj valixhen. Nëna ime erdhi dhe më tha, "Çfarë të ka shkuar ne mendje te bësh"? Dhe unë i thashë, "Po shkoj në Budapest". Dhe ajo më tha, "Përse"? Unë i thashë, "Fëmijët po vriten atje. Është e tmerrshme ajo që po ndodh". Dhe ajo tha, "Mos u bëj budallaqe". Unë fillova të qaj. Ajo e kuptoi dhe tha, "E shoh që është serioze. Je tepër e re të ndihmosh. Të duhet trajnim. Unë do të të ndihmoj. Por cpaketoje njëherë valixjen". Dhe kështu unë u trajnova dhe shkova e punova në Afrikë në të njëzetat. Por e kuptova që atë çfarë duhet ta di në të vërtetë nuk mund ta marr nga kurset trajnuese. Doja të kuptoja si funksionojnë dhuna dhe shtypja. Dhe ajo që kam zbuluar që atëherë është: Agresorët e përdorin dhunën në tri mënyra. Përdorin dhunën politike për të frikësuar, dhunën fizike për të tmerruar dhe dhunën mendore apo emocionale për të nënçmuar. Dhe rrallë, në shumë pak raste funksionon të përdorësh më shumë dhunë. Nelson Mandela u burgos duke besuar në dhunë dhe 27 vite më vonë ai dhe kolegët e tij, ngadalë dhe me kujdes, mprehën aftësitë, aftësitë e jashtëzakonshme, që iu duheshin për ta shndërruar një ndër qeveritë më të egra që ka njohur bota në një demokraci. Dhe ia arritën me një përkushtim të plotë ndaj jo-dhunës. Ata e kuptuan që të përdorësh forcë kundër forcës nuk funksionon. Pra, çfarë funksionon? Kam gjetur shumë metoda që funksionojnë, - ka shumë të tjera - që kryejnë punë dhe janë efektive. Dhe e para është që ndryshimi duhet të ndodhë duhet të ndodhë këtu, brenda meje. Është reagimi im, qëndrimi im, ndaj shtypjes të cilin unë mund ta kontrolloj, dhe që mund të bëj diçka rreth tij. Për këtë duhet të zhvilloj vetëdijen. Duhet ta njoh veten time, kur rrëzohem, cilat janë pikat e mia të forta, cilat janë pikat e mia të dobta. Kur dorëzohem? Për çka do ta ngre zërin? Meditimi apo vetë-inspektimi është një mënyrë - pra, jo e vetmja - është një ndër mënyrat për ta fituar këtë lloj fuqie të brendshme. Dhe heroina ime këtu - si e Satishit - është Aung San Suu Kyi në Burma. Ajo po udhëhiqte një grup studentësh në një protestë në rrugët e Rangoon-it. Ata u gjendën përballë mitralozëve. Dhe ajo kuptoi menjëherë që ushtarëve iu dridheshin gishtat nën këmbëz dhe ishin më të frikësuar se protestuesit prapa saj. Por ajo iu tha studentëve të ulen. Dhe eci përpara me qetësi dhe qartësi duke mos pasur aspak frikë që të afrohet te arma e parë ta vë dorën mbi të dhe ta ulë. Dhe askush nuk u vra. Ja ç'mund të bëjë mjeshtëria ndaj frikës jo vetëm përballë mitralozëve. por nëse përballeni me një përleshje me thika në rrugë. Por duhet të ushtrohemi. E çfarë sa i përket frikës? Kam një mantra të vogël. Frika ime shëndoshet me energjinë që ia ushqej unë. Dhe nëse bëhet shumë e madhe me siguri ndodh. Ne e dimë sindromën tre i mëngjesit, kur diçka që të brengos, të zgjon nga gjumi Unë shoh shumë njerëz - dhe rrotullohesh në shtrat për një orë, vetëm sa bëhet më keq, dhe në ora katër je ngjitur në jastëk nga një përbindësh kaq i madh. E vetmja gjë për t'u bërë është të ngrihesh, bën një filxhan çaj dhe ulu të flasësh me frikën si me një fëmijë. Ti je i rrituri. Frika është fëmija. Dhe ti flet me frikën dhe e pyet çfarë do, për çfarë ka nevojë. Si mund të përmirësohet? Si mund fëmija të ndihet më i fortë? Dhe harton një plan. Thua, "Në rregull, tani kthehemi në gjumë. Në gjashtë e gjysmë, ngrihemi dhe veprojmë". Unë pata një nga këto episode të dielën e paralizuar me frikën se do të flas para jush. (Të qeshura) Kështu që veprova ashtu. U zgjova, bëra çajin, fola me të, dhe kështu jam këtu - ende pjesërisht e paralizuar, por jam këtu. (Duartrokitje) Kjo ishte frika. E çfarë sa i përket zemërimit? Kudo që ka padrejtësi, ka zemërim. Por zemërimi është si benzinë, nëse e hedh përreth e dikush ndezë një kokërr çibriti, krijohet një ferr. Por zemërimi si motor - brenda një motori - është i fuqishëm. Nëse mund ta vendosim zemërimin tonë brenda një motori, ai mund të na shtyjë para, mund të na nxjerrë nga momentet e vështira dhe mund të na japë forcë të brendshme të vërtetë. Këtë e kam mësuar në punën time me politikëbërësit e armëve nukleare. Sepse në fillim isha aq e indinjuar ndaj rreziqeve që ata po na ekspozonin sa vetëm doja të grindesha, t'i fajësoja, që ata ta kenë gabim. Krejtësisht joefektive. Në mënyrë që të zhvillohet dialogu për ndryshim duhet të përballemi me zemërimin tonë. Është në rregull të zemërohesh ndaj gjërave - në këtë rast, armëve nukleare - por nuk ia vlen të zemërohesh me njerëzit. Ata janë qenie njerëzore siç jemi ne. Dhe po bëjnë çfarë mendojnë se është më së miri. Dhe mbi këtë bazë ne duhet të flasim me ta. Pra, ky ishte i treti, zemërimi. Që më sjell te thelbi i asaj që po ndodh, ose që unë kam kuptuar se po ndodh, me botën sot, që është se shekullin që shkoi fuqia vinte nga lart-poshtë. Qeveritë ende iu tregonin njerëzve çfarë të bëjnë. Këtë shekull, ka një ndryshim. Fuqia është nga poshtë-lart, nga populli. Si kërpudhat që rriten përmes betonit. Është bashkimi i njerzëve, siç e tha tani Bundy, milje larg për të sjellur ndryshimin. Dhe Peace Direct e hetoi mjaft herët që vendësit në zonat e konfliktit të nxehtë dinë çfarë të bëjnë. E dinë më së miri. Prandaj Peace Direct i përkrah ata. Ajo çfarë po bëjnë është që po i çmobilizojnë milicitë, po i rindërtojnë ekonomitë, po i rikthejnë refugjatët, madje po i lirojnë fëmijët ushtarë. Dhe atyre u duhet ta rrezikojnë jetën pothuajse çdo ditë për ta bërë këtë. Dhe ajo çfarë kanë kuptuar është se përdorimi i dhunës në këto situata ku ata veprojnë jo vetëm që është më pak njerëzore, por është më pak efektive sesa përdorimi i metodave që lidhin njerëzit mes vete, që rindërtojnë. Dhe mendoj që ushtria e ShBA më në fund po e kupton këtë. Deri më tani, politika e tyre kundër terroristëve kanë qenë vrasja e kryengritësve për pothuajse çfarëdo çmimi, edhe kur përfshihen civilët; atëherë konsiderohet si "dëm anësor". Dhe kjo e zemëron dhe e poshtëron aq shumë popullin e Afganistanit, saqë e bën rekrutimin në al-Qaeda shumë të lehtë, kur njerëzit janë kaq të neveritur nga, për shembull, djegia e Kuranit. Prandaj trajnimi i trupave duhet të ndryshojë. Dhe besoj që ka shenja që ka filluar të ndryshojë. Ushtria britanike gjithnjë ka qenë më e aftë këtu. Por ekziston një shembull i shkëlqyer për ta përcjellur dhe ai është një toger kolonel amerikan i mrekullueshëm që quhet Chris Hughes. Ai udhëhiqte ushtarët e tij në rrugët e Najafit - në Irak, në fakt - dhe befas njerëzit po suleshin nga shtëpitë në të dy anët e rrugës, duke bërtitur, uluritur, tejet të acaruar dhe i rrethuan këta burra shumë të ri të cilët ishin krejtësisht të tmerruar, nuk dinin çfarë po ndodhte, nuk dinin arabisht. Dhe Chris Hughes u fut në mes të turmës me armën përmbi kokë, te drejtuar nga toka dhe tha, "Gjunjëzohuni". Dhe këta ushtarë të mëdhenj me çantat dhe me armatosjen trupore, u lëkundën në tokë. Dhe ra heshtje e plotë. Pas rreth dy minutash, të gjithë u mënjanuan dhe shkuan në shtëpi. E kjo, për mua, është urtësi në veprim. Në atë çast, kjo është çka ai bëri. Dhe po ndodh kudo tani. Nuk më besoni? A e keni pyetur veten pse dhe si janë rrëzuar kaq shumë diktatura në 30 vitet e fundit? Diktaturat në Çekosllovaki, Gjermaninë Lindore, Estoni, Letoni, Lituani, Mali, Madagaskar, Poloni, Filipine, Serbi, Slloveni, mund të vazhdoj, dhe tani Tunizia dhe Egjipti. Dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Një pjesë e madhe vjen nga libri i një burri 80 vjeçar nga Bostoni, Gene Sharp. Ai shkroi librin "Nga diktatura në demokraci" me 82 metodologji për rezistencë jo të dhunshme. Është përkthyer në 26 gjuhë. Ka bërë xhiron e botës. Dhe tani po përdoret nga njerëzit e ri dhe të vjetër gjithkund, sepse funksionon dhe është efektive. Prandaj kjo është ajo që më jep shpresë - jo vetëm shpresë, më bën të ndihem shumë pozitive. Sepse më në fund, njerëzit po e kuptojnë. Po e kuptojmë metodologjinë praktike, të përdorshme për t'iu përgjigjur pyetjes time: Si të përballemi me një agresor pa u bërë vetë kriminel? Po përdorim shkathtësitë që përmenda: forcën e brendshme - zhvillimin e forcës së brendshme - përmes vetë-dijes, njohjen dhe punën me frikën tonë, përdorimin e zemërimit si karburant, bashkëpunimin me të tjerët, grupimin bashkë me tjerët, guximin, dhe më e rëndësishmja, përkushtimin ndaj jo-dhunës së vazhdueshme. Tani jo vetëm që besoj në jo-dhunë. Nuk më duhet të besoj në të. Gjithkund shoh dëshmi se si ajo funksionon. Dhe shoh se si ne, njerëzit e zakonshëm, mund të bëjmë çka Aung San Suu Kyi dhe Ghandi dhe Mandela bënë. Mund t'i japim fund shekullit më të përgjakshëm që ka njohur njerëzimi. Dhe mund të organizohemi për ta mposhtur shtypjen duke hapur zemrat tona dhe duke forcuar këtë zgjidhje të jashtëzakonshme. Kjo hapje e zemrës është pikërisht çfarë kam përjetuar në tërë organizimin e këtij takimi që kur kam ardhur dje. Ju falemnderit. (Duartrokitje)