Nuk jam edhe aq e sigurt në dua vërtet të shoh një tambur që më nëntë të mëngjesit, apo aty afër. Sido qoftë, ta ka vërtet ënda të shohësh një sallë plot, dhe më duhet vërtet të falënderoj Herbie Hancock-un dhe kolegët e tij për këtë paraqitje të shkëlqyer. Një nga gjërat interesante, pa diskutim, është përzjerja e dorës së zhveshur mbi instrument me teknologjinë, dhe sigurisht ajo çka iu tha të rinjve për dëgjimin. Sigurisht, e gjithë puna ime është e lidhur me dëgjimin, dhe synimi im, vërtet, është të mësoj botën si të dëgjojë. Ky është synimi im i vetëm i njëmendtë në jetë. Dhe duket goxha e thjeshtë, por në fakt është punë e madhe. Sepse, kur vështroni një partiturë - për shembull, po të hap çantën time të vogël të motoçikletës - shpresoj të kem, një partiturë që është plot pika të zeza mbi letër. Dhe, e dini, e hapim dhe unë lexoj muzikën. Pra teknikisht, jam në gjendje ta lexoj. Do të ndjek udhëzimet, shënimet për tempon, dinamikën. Do të bëj saktësisht ç'më thuhet këtu. E kështu, ngaqë nuk kemi dhe shumë kohë, sikur thjesht t'ju luaja fjalë për fjalë dy rreshtat e para. Është shumë e thjeshtë. Kjo pjesë nuk ka asgjë të vështirë. Këtu më shpjegohet që pjesa muzikore është shumë e shpejtë. Më tregohet kur duhet t'i bie tamburit. Më tregohet cilën pjesë të shkopit të përdor. Më tregohet edhe dinamika. Dhe më tregohet po ashtu që tamburi është pa susta. Me susta, pa susta. Pra kështu, nëse e përkthej këtë pjesë muzikore, na del kjo ide. E me radhë. Kariera ime do të zgjaste ndoshta pesë vjetë. Megjithatë, detyra ime si muzikante është të bëj çdo gjë tjetër që nuk gjendet në partiturë. Gjithçka të cilën nuk ka kohë për ta mësuar nga një mësues, ose qoftë edhe për ta diskutuar me një mësues. Pasi janë gjërat që i vini re kur nuk e keni instrumentin me vete që në fakt bëhen kaq interesante, dhe që doni t'i eksploroni përmes kësaj sipërfaqeje të vockël, të vockël të tamburit. Pra përjetuam përkthimin. Tani do të përjetojmë interpretimin. Me këtë, kariera ime mund të zgjasë pakëz më tepër! Në një farë mënyre, është njësoj sikur unë të hedh sytë drejt jush dhe shoh një zonjushë të re plot dritë me një bluzë rozë. Shoh që shtrëngoni në duar një arush kukull, etj, etj. Pra krijoj një ide të përgjithshme se çfarë mund të jeni, ç'mund t'ju pëlqejë, ç'zanat mund të keni, etj, etj. Megjithatë, kjo është vetëm ideja fillestare që mund të kem, ajo që mund ta ketë kushdo prej nesh kur vështron. Dhe përpiqemi ta interpretojmë, por në të vërtetë është fare e cekët. Në të njëjtën mënyrë, kur shoh partiturën, krijoj një ide fillestare, Pyes veten çfarë mund të jetë teknikisht e zorshme, ose, çfarë dua të bëj. Thjesht një ndjesi të përgjithshme. Sidoqoftë, kjo nuk mjafton. Dhe mendoj çfarë tha Herbie - ju lutem, dëgjoni, vërjani veshin. Na duhet t'i vëmë veshin vetes, para së gjithash. Nëse luaj, për shembull, me shkopin shtrënguar fort - pra pa e lënë të lirë - do të ndjenit goditje të forta që vijnë përmes krahut. Dhe ndjeheni jo pak - në daçi besojeni, në daçi jo - i shkëputur prej instrumentit dhe prej shkopit, edhe pse në fakt po e shtrëngoj shkopin fort. Duke e shtrënguar fort, ndjehem çuditërisht më e shkëputur. Nëse thjesht e lë të lirë krahun, dorën, dhe e lejoj të jetë më tepër si mbështetje, papritmas kam më tepër dinamikë me më pak përpjekje. Shumë më tepër. Dhe thjesht ndjehem, më në fund, një me shkopin dhe me tamburin. Dhe më kushton shumë më pak përpjekje. Kështu pra, ashtu si më duhet kohë me këtë instrument, po ashtu më duhet kohë me njerëzit, që të mund t'i interpretoj. Jo thjesht t'i përkthej, por t'i interpretoj. Nëse, për shembull, luaj vetëm disa masa nga një partiturë për të cilën e mbaj veten si teknike - me një fjalë, dikush që në thelb është instrumentiste perkusionesh... e me radhë. Nëse e quaj veten muzikante ... e me radhë. Ka pakëz ndryshim që ia vlen - (Duartrokitje) - thjesht ta mendosh. Më kujtohet kur isha 12 vjeçe, dhe fillova t'u bie timpanëve dhe perkusioneve, dhe mësuesi më tha, "Pra, si do t'ia bëjmë? Dihet që muzika ka të bëjë me dëgjimin." "Po, pajtohem me këtë. Kështu që ku është problemi?" Dhe ai u përgjigj, "Po ja, si do ta dëgjosh këtë? Si ke për ta dëgjuar atë?" Dhe i thashë, "Po ja, ju si e dëgjoni?" Më thotë, "Hmmm, më duket se e dëgjoj përmes këtyre." Unë ia ktheva, "Bukur, kështu më duket edhe mua - por unë dëgjoj gjithashtu përmes duarve, përmes krahëve, faqeve, kafkës, barkut, kraharorit, këmbëve e me radhë." Dhe i fillonim gjithmonë mësimet duke akorduar tamburët - veçanërisht, daullet, ose timpanët - me një interval tonal kaq të ngushtë, pra diçka si kjo ... me kaq pak ndryshim. Mandej gradualisht ... dhe gradualisht ... dhe është për t'u habitur që kur e hapni trupin, kur hapni dorën që të lejoni ta përshkojnë dridhjet, që në fakt ndryshimi më i vockël, i vockël.. mund të ndihet me pjesën më të vogël të gishtit, këtu. E kështu unë vija duart në muret e dhomës së muzikës, dhe së bashku dëgjonim tingujt e instrumenteve, dhe përpiqesha vërtet për t'u lidhur me tingujt shumë, shumë më gjerë se sa thjesht në varësi të veshit. Sepse, dihet, veshi është - dua të them, i ndikueshëm nga një mori faktorësh. Dhoma ku ndodhemi, amplifikimi, cilësia e instrumentit, lloji i shkopave, e të tjera, e të tjera. Ndryshojnë njëri nga tjetri. E njëjta peshë, por ngjyresa të ndryshme tingulli. Dhe kjo është ajo çka jemi në thelb. Jemi thjesht qenie njerëzore, por secili prej nesh ka ngjyresat e veta të vockla për tingullin, të cilat hijeshojnë këto personalitete karaktere, interesa dhe gjëra. Dhe kur u rrita ca, konkurova për në Akademinë Mbretërore të Muzikës në Londër, ku më thanë, "Hmmm, jo, nuk të pranojmë dot, ngaqë nuk ia kemi idenë, të ardhmes së një muzikanteje të ashtuquajtur 'të shurdhër'." Unë thjesht nuk mund ta pranoja këtë. Ndaj edhe u thashë, "Bukur, dëgjoni, nëse nuk pranoni - nëse nuk më pranoni për këto arsye, dhe jo për shkak të aftësisë për të ekzekutuar, për të kuptuar dhe për të dashuruar artin e krijimit të tingujve - atëherë na duhet të mendojmë vërtet seriozisht rreth atyre njerëzve që ju i pranoni." Dhe si përfundim - pasi tejkaluam një pengesë të vockël, dhe pasi dola në provim dy herë - më pranuan. Dhe jo vetëm kaq - ajo çka ngjau qe ndryshimi i krejt rolit të institucioneve muzikore në Mbretërinë e Bashkuar. Në asnjë mënyrë nuk do të hidhnin më poshtë kërkesa për studime, për shkak se dikush nuk kish krahë, apo këmbë - ata prapë mundet të luanin ndoshta një instrument frymor, po t'a mbështesnin në një mbajtëse. Asnjë rrethanë nuk do të përdorej për të hedhur poshtë një kërkesë për studim. Dhe çdo rast duhej dëgjuar, provuar e mandej bazuar në aftësitë muzikore - vetëm atëherë ai person mund të fitonte ose jo. E kështu, kjo pati si pasojë që një dorë tejet interesante studentësh mbërritën në institucione të ndryshme muzikore. Dhe mjaft prej tyre zunë vend edhe në orkestra profesionale në të katër anët e botës. Por gjëja interesante këtu - (Duartrokitje) - është që jo vetëm njerëzit u lidhën me tingullin - çka vlen në fund të fundit për krejt ne, dhe ne e dimë mirë se muzika është ilaçi ynë i përditshëm. Them muzika, por faktikisht nënkuptoj tingulli. Ngaqë disa prej gjërave të jashtëzakonshme që kam provuar si muzikante, kur bëhet fjalë për një 15 vjeçar që i duhet të përballet me sfidat më të pabesueshme, që mund të mos jetë në gjendje të kontrollojë dot lëvizjet e tij, që mund të mos dëgjojë dot, mund të jetë i verbër, etj, etj. Papritmas, nëse ky i ri ulet pranë këtij instrumenti, dhe mbase edhe po të shtrihet nën marimba, dhe ju luani diçka që është kaq e ngjashme me një organo, pothuajse - Nuk kam shkopinjtë e duhur, mbase - por diçka si kjo. Dale t'i ndërroj. Diçka që është aq e thjeshtë sa nuk besohet - por ai do të provonte diçka që unë nuk e ndiej dot, ngaqë jam përsipër tingullit. Mua më vjen tingulli nga kjo anë. Atij do t'i vinte tingulli nga rezonatorët. Po të mos kish rezonatorë këtu, do të kishim - pra ai do të kishte një plotëri tingulli që ju aty në rreshtat e parë nuk do ta provonit dot; as ju në rreshtat e fundit. Secili prej nesh tek e tek, në varësi se ku jemi ulur, do ta ndjenim këtë tingull goxha ndryshe. Dhe sigurisht, duke qenë pjesëmarrës i tingullit, pra, duke u nisur nga ideja se çfarë lloj tingulli dua të prodhoj - për shembull, këtë tingull. Dëgjoni dot gjë? Pikërisht. Ngaqë as që po i prek. Por prapëseprapë, kemi ndjesinë se diçka po ndodh. E njëjta gjë ndodh kur shoh lëvizjet e pemës, e mandej përfytyroj fëshfërimën që krijon. E kapni dot se ku e kam fjalën? Për çfarëdo që sytë shohin, ka gjithmonë një tingull që përhapet. Pra ka përherë një numër shumë të madh - e kam fjalën, pikërisht një mori kaleidoskopike gjërash nga të frymëzohesh. Pra krejt ekzekutimet e mia bazohen tërësisht te ajo që përjetoj, dhe jo te mësimi përmendësh i një pjese muzikore, duke i veshur interpretimin e dikujt tjetër, duke blerë tërë CD-të e mundshëm për atë pjesë të dhënë muzikore, e kështu me radhë. Sepse kjo nuk më jep aq sa duhet nga ajo që është kaq e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, dhe diçka që mund ta përjetoj plotësisht. Kështu, ndodh që, në disa salla, kjo dinamikë të funksionojë mirë. Ndodh që në salla të tjera, dëgjuesit nuk do ta përjetojnë dot fare, ndaj, shkalla ime e të luajturit butë, pupël, mund të dojë përshtatje - e kapni se ku e kam fjalën? Pra, për shkak të kësaj përhapjeje të punës me tingullin, veçanërisht në radhët e bashkësisë së të shurdhërve, kjo ka ndikuar jo vetëm në mënyrën se si institucionet muzikore, se si shkollat për të shurdhrit e trajtojnë tingullin. Dhe jo thjesht si një mjet terapie - edhe pse, duke marrë pjesë në muzikë, kjo domosdo vlen si terapi. Por kjo do të thotë që teknikëve të akustikës iu është dashur të mendojnë vërtet rreth llojit të sallave që krijojnë. Ka kaq pak salla në këtë botë që kanë vërtet akustikë shumë të mirë, marr guximin të them. Por me këtë dua të them salla ku mund të bësh absolutisht çfarëdo që përfytyron. Nga tingulli më i zbehtë, më i buti i të butëve deri te diçka që është kaq i mbushur, kaq i fortë, kaq i pabesueshëm! Gjithmonë ka diçka që mund të dëgjohet mirë atje, jo dhe aq mirë atje tej. Mund të jetë i bukur këtu, por i shpifur matanë. Mund të jetë i shpifur atje tej, por jo dhe aq keq andej, etj, etj. Pra është mjaft e zorshme të gjesh një sallë të përshtatshme - një sallë ku mund të luani saktësisht çfarë përfytyroni, pa u dashur t'i bëni kozmetikë. Prandaj teknikët e akustikës kanë filluar të bashkëpunojnë me njerëz që kanë probleme me dëgjimin, dhe që janë pjesëmarrës të tingullit. Dhe kjo është mjaft interesante. Unë nuk di të jap hollësi se çfarë po ndodh faktikisht me këto salla, por është fakt që po iu drejtohen një grupi njerëzish për të cilët kemi vite që themi, "E si mund ta shijojnë ata muzikën? Ata janë të shurdhët." Thjesht ia bëni kështu, dhe e marrim me mend se kjo i bie të jetë shurdhëria. Ose kështu, dhe e marrim me mend se kjo i bie të jetë verbëria. Nëse shohim dikë në karrige me rrota, e marrim të mirëqenë që ai nuk ecën dot. Por mundet që ai të bëjë tre, katër, pesë hapa. Kaq, për të, do të thotë që mund të ecë. Për ndonjë vit, mund të bëhen dy hapa më tepër. Edhe një vit tjetër dhe ja ku u bënë tre hapa shtesë. Këto janë gjëra shumë të rëndësishme që duhen menduar mirë. Kështu pra, kur dëgjojmë njëri-tjetrin, është tejet e rëndësishme t’i vëmë vërtet në provë aftësitë tona dëgjimore. Ta përdorim trupin si dhomë rezonance. Dhe të reshtim së gjykuari. Për mua, si muzikante që 99 përqind merret me muzikë të re, është fare e lehtë të them, "Ah, po, më pëlqen kjo pjesë. Ose, jo, nuk më pëlqen kjo pjesë." E me radhë. Por, e dini çfarë? E ndjej që duhet t'u jap kohë pjesëve muzikore. Ka raste kur nuk ka edhe aq tërheqje mes meje dhe një pjese muzikore të caktuar. Por kjo nuk do të thotë që kam të drejtën të them që nuk ia vlen si muzikë. Dhe e dini cila është një nga gjërat e forta të të qenit muzikant? Është të qenët kaq i rrjedhshëm. Pra nuk ka rregulla, saktë, gabim, kështu, ashtu. Po t'ju kërkoj të përplasni duart - besoj se mund ta bëj këtë. Nëse them vetëm "ju lutem, duartrokisni." Dhe krijoni tingullin e gjëmimit. Duke menduar që të gjithë e kemi provuar gjëmimin. Tani, nuk e kam fjalën thjesht te tingulli, Dua të them, dëgjoni vërtet gjëmimin brenda vetes. Dhe përpiquni, ju lutem, ta krijoni atë me përplasjen e duarve. Provojeni. Thjesht - ju lutem, provojeni. (Duartrokitje) Shumë bukur! Borën. Borën. E keni dëgjuar borën ndonjëherë? Salla: Jo. Evelin Gleni: Epo atëherë, ndalini duartrokitjet. (Të qeshura) Provoni sërish. Provojeni sërish. Borën. E shihni, nuk ju ka zënë gjumi. Shiun. Jo keq. Jo keq. E bukura me këtë është se i bëra, një grupi fëmijësh, jo shumë kohë më parë, saktësisht të njëjtën pyetje. Tani - përfytyrim i fuqishëm, faleminderit shumë. Sidoqoftë, as edhe një prej jush nuk luajti vendit e të mendohej, "Bukur! Si mund t'i rrah duart? OK, ndoshta... - ndoshta mund të përdor stolitë për të krijuar tinguj të tjerë. Ndoshta mund të përdor pjesë të tjera të trupit për krijim tingujsh të tjerë." As edhe një prej jush nuk mendoi se mund t'i përplaste duart paksa ndryshe nga të ndejturit ulur dhe përdorimi i dy duarve. Po njësoj si kur dëgjojmë muzikë, e marrim të mirëqenë që gjithçka hyn prej këtej. Kështu e provojmë muzikën. Ja që jo. Ne ndiejmë gjëmimin - gjëmim, gjëmim. Mendojeni, mendojeni, mendojeni. Dëgjojeni, dëgjojeni, dëgjojeni. Tani - ç'mund të bëjmë për gjëmimin? Më kujtohet mësuesi im. Kur fillova së pari, mësimi i parë fare, isha bërë gati me shkopat, gati për të filluar. Dhe në vend të që të më thoshte, "OK, Evelin, ju lutem. Këmbët paksa hapur, krahët pak a shumë në kënd 90 gradë, shkopat pak a shumë në formë V-je, mbaj këtë largësi prej këtej, etj. Ju lutem, shpinën drejt, etj, etj, etj." Pas të cilave, kish shumë gjasa, të përfundoja krejtësisht e ngurtësuar, e ngrirë, dhe nuk do të isha në gjendje të godisja tamburin, ngaqë mendjen do e kisha te gjithë ato gjëra të tjera. Ai tha, "Evelin, merre këtë tambur me vete për nja shtatë ditë, dhe shihemi javës tjetër." Mrekullia vetë! Ç'duhet të bëja? Nuk më duheshin më shkopat, nuk m'u lejua të merresha me shkopat. Thjesht duhej ta shihja këtë tambur të caktuar, të shija si ish bërë, çfarë bënin dorezat e vockla, çfarë bënin sustat. Ta ktheja përmbys, të provoja kasën, të provoja syprinën. Të provoja me trupin tim, të bëja prova me stolitë, prova me gjithë llojet e gjërave. Dhe sigurisht, javës tjetër isha gjithë gërvishtje e gjëra si këto - por pavarësisht, qe një përvojë e mrekullueshme, sepse ndryshe, ku dreqin do ta provonit këtë në një pjesë muzikore? Ku dreqin do ta provonit këtë në tekste shkollore? E kështu, nuk u morëm fare me tekstet shkollore. Kështu, për shembull, një nga gjërat që mësohet kur është fjala për t'u bërë perkusionist, ndryshe nga muzikantët e tjerë, është radha e goditjeve njëshe. Si kjo këtu. E mandej pak më shpejt, edhe pak më shpejt, ca më shpejt akoma. E me radhë. Ç'kërkon kjo pjesë? Radhë goditjesh njëshe. Po pse të mos jem në gjendje ta bëj, kur studioj një partiturë? Pikërisht këtë bëri ai. Dhe për çudi, kur u rrita, kur u bëra studente e rregullt në një nga ata që quhen "institucion muzike," m’u desh t’i hidhja të gjitha nga dritarja. Duhej të studionim me tekstet shkollore. Dhe vazhdimisht dilte pyetja: po mirë, pse? Pse? Me çfarë lidhet kjo? Më duhet të luaj një pjesë muzikore. "Ah, po ja, kjo do të të ndihmojë në kontroll!" Po mirë, po si? Pse më duhet ta mësoj këtë? Kam nevojë ta lidh këtë me një pjesë muzike. E dini. Kam nevojë të them diçka. Pse po ushtrohem me "paradiddles"? A është vërtet për kontroll në mbajtjen e shkopave? Pse po e bëj këtë? Më duhet një arsye, dhe arsyeja duhet të gjendet duke thënë diçka me anë të muzikës. Duke thënë diçka me anën e muzikës, që në thelb është tingull, mund të prekim gjithçka te gjithkush. Megjithatë, unë s’dua të mbaj përgjegjësi për bagazhin tuaj emocional. Kjo varet nga ju, kur hyni në një sallë. Sepse kjo mandej përcakton çfarë gjërash dëgjojmë dhe si i dëgjojmë. Mund të jem e trishtuar, ose e lumtur, ose e ngazëllyer, ose e zemëruar kur luaj këtë apo atë pjesë muzikore, por nuk kërkoj që edhe ju të ndiheni medoemos njësoj si unë. Ndaj, ju lutem, herës tjetër kur shkoni në një koncert, thjesht lëreni trupin të ndjejë, jepini liri trupit të kthehet në një dhomë rezonance. Kini parasysh që nuk do të përjetoni të njëjtën gjë me ekzekutuesin. Ekzekutuesi është në pozicionin më të keq të mundshëm për tingullin faktik, ai dëgjon prekjen e shkopit në tambur, ose të çekiçit në një copë dru, ose të harkut mbi tel, etj. Ose frymën që po krijon tingullin prej veglave frymore dhe tunxheve. Ata atje provojnë tingullin bruto. Por ama përjetojnë diçka kaq të dlirë sa nuk përfytyrohet, ajo çka është përpara se të lindë tingulli. Ju lutem, ndiqni jetën e tingullit pas lëvizjes fillestare që e prodhon, ose pasi është nxjerrë fryma. Thjesht përjetoni krejt udhëtimin e tingullit në të njëjtën mënyrë që do të kisha dashur të kisha provuar krejt udhën e kësaj konference të veçantë, dhe jo thjesht të mbërrija mbrëmë natën. Shpresoj që të arrijmë të shkëmbejmë nja dy gjëra gjatë ditës në vazhdim . Ju faleminderit shumë që më ftuat! (Duartrokitje)