Cigaret nuk janë të mira për shëndet. Kjo s'është e re, kemi ditur për rrezikun e pirjes së duhanit për shumë dekada. Por si na dëmtojnë cigaret saktësisht? Le të shohim se çfarë ndodh kur këto substanca hyjnë në trupin tonë, dhe çfarë ndodh kur e ndërpresim duhanpirjen. Me çdo thithje, ne fusim në trupin tonë mbi 5000 substanca kimike. Nga fillimi, katrani, një material i zi, rrëshinor fillon të mbulon dhëmbët dhe gingivën, duke dëmtuar zmaltin e dhëmbëve dhe si pasojë duke shkatërruar dhëmbët. Me kalimin e kohës duhanpirja dëmton edhe mbaresat nervore në hundë, duke shkaktuar humbjen e aftësisë së dallimit të aromave. Brenda në rrugët e frymëmarrjes dhe mushkëri, duhanpirja rrit aftësinë për infeksione, dhe sëmundje kronike si bronkiti dhe emfizema. Këtë e bën duke dëmtuar ciliet që gjenden në qelizat e këtyre organeve. Ciliet janë struktura të vogla në formë fijesh detyra e të cilave është që të mbajnë të pastra rrugët e frymëmarrjes. Pastaj mbush alveolat. Alveolat janë qeska të vogla të mbushura me ajër që mundësojnë këmbimin e oksigjenit dhe dyoksidit të karbonit mes mushkerive dhe gjakut. Një gaz toksik që quhet monoksid karboni përshkon këtë membranë dhe kalon në gjak, duke u lidhur kështu me hemoglobinën dhe duke zhvendosur oksigjenin që normalisht do duhej të qarkullonte nëpër trup. Kjo është një nga arsyet pse duhanpirja çon në deprivim të oksigjenit dhe shkurtim të frymëmarrjes. Në 10 sekonda, qarkullimi i gjakut bart në tru një stimulant që quhet nikotinë, që shkakton lirimin e dopaminës dhe neurotransmiterëve tjerë në tru perfshirë edhe endorfinat që krijojnë ndjenjën e kënaqësisë gjë që e bën duhanpirjen adiktive. Nikotina dhe substancat tjera kimike që gjenden në cigare shkaktojnë ngushtim të enëve të gjakut me kalimin e kohës dhe dëmtojnë endotelin e enëvë të gjakut duke penguar kështu qarkullimin e gjakut. Këto ndryshime shkaktojnë trashjen e murit të enëve të gjakut dhe rrisin ngjitshmërinë e trombociteve, kjo ndihmon në formimin e koagulimeve në gjak dhe nxisin infarktin në zemër. Shumë nga kemikalet që gjenden në cigare nxisin mutacione të rrezikshme në ADN e trupit tonë dhe kjo bën që të zhvillohet kanceri. Përbërësit e duhanit si Arsenik dhe Nikel mund të ndërprerjnë procesin e riparimit të ADN, dhe të dëmtojnë aftësinë e organizmit tonë për të luftuar kancerin. Në fakt në SHBA, nje nga tre të vdekurit nga kanceri si shkaktar kanë pasur duhanpirjen. Duhanpirja nuk shkakton vetëm kancer të mushkërive. Mund të shkaktojë edhe kancer në shumë inde dhe organe, të dëmtojë shikimin dhe të dobësojë eshtrat. Është më e vështirë për femrat që të ngelen shtatzënë. Dhe për meshkuj, mund të shkaktojë disfunksione në ereksion. Por njerëzit që ndërprejnë duhanpirjen, kanë shumë benefite të menjëhershme. 20 minuta pas ndërprerjes së duhanit, të rrahurat e zemrës dhe shtypja e gjakut fillojnë të kthehen në normale. Pas 12 orësh, nivelet e monoksidit të karbonit fillojnë të stabilizohen duke rritur kapacitetin e gjakut për të bartur oksigjenin . Një ditë pas ndërprerjes së duhanpirjes, zvogëlohet rreziku i infarktit në zemër me rënien e shtypjes së gjakut dhe normalizim të rrahurave të zemrës. Pas dy ditësh, mbaresat nervore përgjegjëse për ndjesinë e aromave dhe shijes fillojnë të kthejnë funksionin e tyre. Mushkëritë shërohen nje muaj pas ndërprerjes së duhanpirjes, me zvogëlim të kollitjes dhe normalizim të frymëmarrjes. Ciliet që gjenden në mushkri dhe rrugë të frymëmarrjes fillojnë të kthejnë funksionin e tyre pas disa javësh, dhe shërohen plotësisht pas 9 muajsh, duke rritur rezistencën ndaj infeksioneve. Pas nje vit të ndërprerjes së duhanpirjes, rreziku i semundjes se zemres zvogëlohet përgjysmë ndersa përmirësohet funksioni i enëve të gjakut. Pas pese vjetesh, zvogëlohet shumë rreziku i formimit të koagulove në gjak, gjithashtu edhe i infarktit në zemër. Pas 10 vitesh, zvogëlohet rreziku i zhvillimit të kancerit të mushkërive deri në 50%. Kjo ndodh si shkak i aftësisë së organizmit për të riparuar ADN e dëmtuar. Pas 15 vitesh, mundësia e zhvillimit të sëmundjeve koronare të zemrës është gati e njëjte si e jo-duhanpirësve. Kjo dihet se nuk është e lehtë për tu arritur. Ndalimi i duhanpirjes shkakton shqetësim dhe depresion, si pasojë e lënies së nikotinës. Fatmirësisht, këto efekte janë të përkohshme. Ndërprerja e duhanit është duke u bërë çdo ditë e më e lehtë falë zhvillimit të mundësive të shumta për të arritur këtë gjë. Terapia e zëvendësimit të nikotinës përmes përdorimit të çamçakëzit, fashave ngjitese në lëkurë, tabletave, dhe sprejeve ndihmon në lënien e duhanit. Ato funksionojnë si stimulues për receptorët e nikotinës në tru e kështu pengojnë zhvillimin e paraqitjes së simptomave të tërheqjes nga nikotina pa përdorimin e substancave të dëmshme kimike. Këshillimi e grupet suportuese, terapia kognitive, aktiviteti fizik ndihmon gjithashtu. Ky është lajm i mirë, sepse ndërprerja e duhanpirjes ndihmon që ju të jeni prapë të shëndetshëm.