Do ketë në këto momente
ndonjë mësues aspirant
që po punon mbi ndonjë artikull 60 faqesh,
të bazuar në ndonjë teori të vjetër arsimimi,
hartuar nga ndonjë profesor që s’jeton më,
duke vrarë mendjen se ç’lidhje ka puna
me të cilën po merret
me atë çka dëshiron të arrijë në jetë,
që është të bëhet mësues,
të ndryshojë jetët, dhe t’i japë
shkëndija të magjishmes.
Do ketë në këtë moment
ndonjë mësues aspirant,
në ndonjë institucion arsimor,
duke soditur një profesor që vetëm dërdëllit
në mënyrën më pak tërheqëse të mundshme
rreth tërheqjes së nxënësve.
Do ketë në këtë moment
ndonjë mësues në vitin e parë të punës
zhytur mes planeve mësimore
duke u orvatur t’u japë kuptim standardeve,
që po përpiqet t’i japë kuptim
vlerësimit si duhet të nxënësve,
ndërkohë që i përsërit vetvetes
pa pushim,
"Mos buzëqesh deri në Nëntor",
sepse kështu e kishin mësuar
gjatë programit të tij arsimor.
Do ketë ndonjë nxënës në këtë moment
që po sajon një mënyrë
për të bindur nënën apo babanë
se është shumë, shumë sëmurë
dhe se nuk shkon dot në shkollë nesër.
Nga ana tjetër, mu tani
ekzistojnë edukatorë të mrekullueshëm
që ndajnë informacion me të tjerët,
informacion që ndahet kaq hijshëm me të tjerët
saqë nxënësit, ulur në banka,
presin të mahnitur të bjerë
qoftë edhe një pikë djersë
nga fytyra e këtij personi
që kështu të mund të thithin
gjithë atë dituri.
Do ketë diku një person
që ka mbërthyer vëmendjen e publikut,
një person që po thur
një narrativë të fuqishme
rreth një bote
të cilën, njerëzit që dëgjojnë,
s’e kanë përfytyruar
apo parë kurrë më parë,
por nëse mbyllin sytë fort,
munden ta përfytyrojnë atë botë,
sepse tregimi është aq bindës.
Do ketë ndonjë person i cili mund
t’i thotë publikut
të ngrejë duart lart
dhe ata të qëndrojnë ashtu,
derisa ai t’u thotë,
"Ulini duart."
Mu tani.
Njerëzit më pas do të thonë,
"Kris, ju përshkruani personin
që po bën ca kurse të shpifura kualifikimi,
por njëkohësisht përshkruani
edhe edukatorë të fuqishëm.
Nëse e keni fjalën për botën e arsimit,
ose atë të arsimit urban në veçanti,
këta njerëz do të asnjanësojnë njëri-tjetrin,
dhe ja ku u lamë."
E vërteta është se, njerëzit
që përshkrova
si mjeshtër të mësimdhënies,
si mjeshtër të thurjes së narrativës,
si mjeshtër të rrëfimit
ka kohë që janë larguar nga klasat.
Njerëzit që i kanë aftësitë e mësimdhënies
dhe të tërheqjes së dëgjuesit
as që e kanë idenë se ç’do të thotë
certifikim i mësuesit.
Bën vaki që as të jenë të diplomuar
fare, për të pretenduar
se kanë një farë arsimi.
Dhe kjo për mua është hidhëruese.
Është hidhëruese sepse njerëzve
të cilët përshkrova,
nuk u intereson fare procesi i të nxënit,
duan të jenë mësues të efektshëm,
por nuk kanë nga marrin shembull.
Po parafrazoj Mark Twain-in.
Mark Twain-i thotë se përgatitja e duhur,
ose mësimdhënia,
është kaq e fuqishme, sa ta shndërrojë
moralin e lig në të mirë,
praktikat e shpifura në fuqi-dhënëse,
mund të ndryshojë
njerëzit dhe t’i shndërrojë
në engjëj.
Njerëzit të cilët përshkrova më herët
përgatitjen e duhur për
mësimdhënie nuk e morën,
në ndonjë kolegj apo universitet,
por thjesht duke qenë në të njëjtat
hapësira me ata që i frymëzojnë.
Gjejeni ku janë këto vende!
Në dyqan berberi,
në koncerte repi dhe, më e rëndësishmja,
në kishat e zezakëve.
Unë jam marrë me ftillimin e kësaj ideje
të quajtur Pedagogji Rrëshajësh.
Kush nga ju ka qenë në kishë zezakësh?
Shoh që u ngritën ca duar.
Po të shkoni në kishë zezakësh,
predikuesi i tyre ia fillon,
por e kupton se duhet
t’i angazhojë dëgjuesit,
kështu që fillon me një si punë loje fjalësh
shumë herë, në fillim,
mandej bën një ndalesë,
dhe mendon, “O Zot, s’e kanë mendjen këtu.”
Ndaj thotë, “A mund të bëni amin?”
Publiku: Amin.
Chris Emdin: A s’më bëni një amin?
Publiku: Amin.
CE: Dhe, krejt papritur, gjithkush rizgjohet.
Predikuesi ngre zërin
për të tërhequr vëmendjen.
Pastaj e ul zërin, sa mezi dëgjohet,
kur do që njerëzit të përqendrohen në të,
dhe këto gjëra janë aftësitë që na duhen
për mësuesit më angazhues.
Pra, pse edukimi i mësuesve
jep teori dhe vetëm teori,
flet për standardet dhe ju tregon gjithë
këto gjëra që s’kanë të bëjnë fare
me aftësitë bazë, atë magjinë që lypset
për të tërhequr publikun,
për të tërhequr një student?
Ndaj, them se duhet ta riformulojmë
arsimimin e mësuesve,
që të mund të fokusohemi në përmbajtje, po,
të fokusohemi në teori, po, edhe për këtë,
por përmbajtja dhe teoria,
në mungesë të së magjishmes
në mësimdhënie dhe në të nxënë, nuk vlejnë.
Njerëzit shpesh thonë se,
"E magjishmja është thjesht e magjishme."
Ka mësues të cilët,
pavarësisht të gjitha sfidave,
i kanë këto aftësi,
hyjnë në këto shkolla dhe janë
në gjendje të tërheqin dëgjuesit,
dhe drejtuesi afrohet dhe thotë,
"Sa i zoti që është! Sikur të ishin
të gjithë mësuesit e mi kaq të zotë."
Dhe kur provojnë të ta përshkruajnë
ku qëndron puna,
të thonë, "Ka diçka të magjishme..."
Jam këtu për t’ju thënë se
kjo e magjishme mund t’u mësohet.
E magjishmja mund t’u mësohet.
E magjishmja mund t’u mësohet.
Si mund t’u mësohet?
Ua mësoni duke i lejuar njerëzit
të frekuentojnë ato vende
ku e magjishmja është e prekshme.
Nëse doni të jeni mësues aspirant
për arsimin urban,
lypset t’i braktisni kufizimet
e universitetit
dhe të shkoni në lagje.
Duhet të shkoni e të bëni
sehir tek berberi,
të shkoni në kishën e zezakëve,
duhet të shihni këta njerëz
që kanë aftësinë të tërheqin
dhe të mbani shënim ato çka bëjnë.
Në orët e përgatitjes së mësuesve,
në universitetin tim,
kam filluar një projekt ku çdo nxënës
që merr pjesë, ulet dhe shikon koncerte repi.
Shikojnë mënyrën se si lëvizin reperët,
si flasin me duar.
Studiojnë mënyrën se si ecin
me krenari nëpër skenë
Dëgjojnë metaforat dhe analogjitë e tyre
dhe fillojnë t’i mësojnë këto gjëra të vogla
që, nëse praktikohen mjaftueshëm,
bëhen çelësi i të magjishmes.
Mësojnë se, nëse i ngulni sytë
një nxënësi dhe ngrini pak vetullën,
s’ka nevojë më për fjalë
sepse e dinë që kjo do të thotë
se doni më shumë prej tyre.
Nëse mund ta transformojmë
arsimimin e mësuesve,
për ta fokusuar në të mësuarit e mësuesve
se si të krijojnë atë të magjishme
atëherë, fap! mund t’i ringjallim
klasat e vdekura,
mund t’i japim shkëndijën përfytyrimit,
dhe të ndryshojmë arsimin.
Faleminderit.
(Duartrokitje)