Do të doja t’ju flisja që tani për fjalën ndoshta më të tejpërdorur dhe më të keqkuptuar të gjuhës angleze: "lirinë." Liria ka dy anë: liri prej - liri nga shtypja, liria nga kontrolli dhe sekuestrimi; dhe liria për - liri për të zgjedhur. Por liria për zgjedhje ka ca "por", ka ca kushte. Njëri që e lidhim me të quhet "përgjegjësi personale", dhe këtu hyn ideologjia. Dhe ka ca parime bazë të cilat i lidhim me përgjegjësinë personale, domethënë, për të na duhet dije. Pesëvjeçari që shtie pa dashur mbi të vëllanë, s’është fajtor, ngaqë nuk di se ç’bën. Akses. Kemi 57 mijë vetë të lënë jashtë listave të votimeve sot në Amerikë për shkak të ndryshimit të zonave elektorale; këta janë pa akses. Këta s’mund ta kenë përgjegjësinë personale në votim. Dhe së fundi, pasja e mundësisë. Duhet të jeni në gjendje t’ia dilni zgjedhjes tuaj, dhe shoqëria të jetë në gjendje t’ia dalë zgjedhjes tuaj. Një shembull: në Kaliforni sapo liruam 100 mijë të dënuar të cilët janë të varur nga droga. Dikur thoshim, "Narkomanët duhen futur brenda." A e dini çfarë? Nuk i kemi mundësitë. Ja, këto janë kleçkat e përgjegjësisë personale. Dhe së fundi, e fundit, vërtet e rëndësishme, është që veprimet tuaja të mos i bëjnë keq tjetrit, se po i bënë, kësaj i thonë të shkelësh ligjet. Puna është se, kemi krizë të shëndetësisë, dhe të madhe madje. Në fakt, deri më 2026-n, Medicare do të jetë i rrënuar. Nuk kemi para të vazhdojmë të bëjmë ç’kemi bërë deri më sot. Dhe kjo krizë e shëndetësisë s’vjen nga rimbursimet e mjekëve, nuk vjen nga çmimet e spitaleve, nuk vjen nga infrastruktura, apo nga administrata. Kjo krizë e shëndetësisë vjen nga sëmundje metabolike kronike. Paratë po shkojnë për to. 245 miliardë dollarë vitin e shkuar në Amerikë për diabetin. 200 miliardë për çmendjet, një tjetër sëmundje kronike. Obamacare na premton se do të jemi në gjendje të përfshijmë 32 milionë të sëmurë në fatura, dhe do ta bëjmë duke ofruar shërbime parandaluese. Por, ama, për këto sëmundje kronike metabolike s’ka shërbime parandaluese. Nuk ekzistojnë të tilla. I vetmi që bën punë është parandalimi, dhe ne parandalim s’kemi. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë që e kemi pisk. (Të qeshura) Është fakt se s’i kemi mundësitë. Nga na erdhi e tëra kjo? Na vjen nga kjo gjë që quhet epidemi dhjamosjesh, apo jo? Të tërë thonë, "Sikur këta të hanin ca më pak dhe të ushtroheshin më shumë, do ta kishim problemin të zgjidhur; vetë e kanë fajin." Prej andej na vjen. Besoj keni dëgjuar për shtatë mëkatet kapitale. Kemi falur pesë prej tyre. Kemi falur zilinë, kopracinë, zemërimin, mendjemadhësinë, dhe epshin. Në fakt, kemi emisione në televizion që i ngrenë lart këto. Dy të vetmit që s’i kemi hequr dot qafe, dy të vetmit që ende janë në këmbë, janë grykësia dhe përtacia. Faji është i juaji. Hmm, e dini çfarë? Jam pediatër, dhe kujdesem për fëmijët. E kam të vështirë të pranoj përgjegjësi personale për dhjamosjen e tyre. Në fakt, kemi një epidemi të sapolindur të dhjamosur. Të sapolindur të dhjamosur. A mund t’u kërkohet atyre përgjegjësi personale? Kujdesem për fëmijë me tumore në tru. Këtu mund të shihni këtë shigjetë që tregon këtë marifetin mu në mes të shtegut të balancës së energjisë së këtij pacienti. Tumor në tru që shkakton trashje masive. Le t’ju tregoj për dy nga këta pacientë. Kjo është një paciente për të cilën u kujdesa shumë vite më parë. Pati një tumor në tru dhe hipi 75 kg në peshë. Mund ta shihni këtu, 110 kg. E vumë në mjekim eksperimental për ulje të nivelit të insulinës. Kujtoni, insulina është hormoni i diabetit edhe i depozitimit të energjisë. Është hormoni që u thotë qelizave tuaja të dhjamit të depozitojnë energji ekstra. Pa insulinë nuk ka hipje në peshë. E dinim që këta pacientë kishin nivele shumë të larta të insulinës. Ndaj në formë eksperimenti i dhamë një medikament për ulje të insulinës. Një javë më vonë, e ëma më telefonon, e bija ende nuk ka humbur në peshë, dhe më thotë, "Doktor Lustig, diç po ngjet." Ia kthej, "Ç’doni të thoni?" "Po ja, kur shkonim në Taco Bell, ajo hante pesë tako dhe një Enchirito, dhe prapë ish e uritur. Sot që shkuam në Taco Bell hëngri vetëm dy tako, dhe u dend. Madje fshiu edhe shtëpinë!" (Të qeshura) I përgjigjem, "Vërtet? Interesante, apo jo." Në fakt, këtë e bëmë mjaft herë, dhe ndodhte saktësisht e njëjta gjë. Dhe ja ku është, një vit më vonë, pasi ra në peshë me 24 kg, dhe me ndjesi shumë më të mira për veten, siç mund ta përfytyroni. Pacienti tjetër që do t’ju tregoj s’është pacient i imi. Kjo është një çupkë e hijshme 13 vjeç që banon në Havai. Shihni zambakun në flokët e saj. Një muaj pasi u bë kjo foto, i ndodhi një aksident me makinë, në të cilin ajo goditi hipothalamin, zonën e trurit ku gjendej tumori te pacienti ynë tjetër. Dhe ja ku është, një vit më vonë. A del njeri të më thotë se këtu bëhet fjalë për përgjegjësi personale? Që fajin këtu e kish kjo vajzë e re? Pra, po mbaja biseda në Kaiser, Honolulu, dhe më thanë që ndoshta mund të përdorej i njëjti medikament edhe për këtë vajzë. Dhe ja ku jam me të. E ëma më tha, "Po, vazhdoni me provat." Dhe ja ku është pas një viti e gjysmë ditën e diplomimit në të mesmen. A ka njeri që do vërtet të mbrojë tezën se është faji i kësaj fëmije? Unë vetë e kam të vështirë. Ajo çka mësuam nga këto eksperimente është që sjellja vjen në plan të dytë, pas biokimisë. Po ndreqët biokiminë, përmirësohet dhe sjellja, dhe tani e kemi vënë re edhe te të rriturit. Pra, gjithkush thotë se problemi është sjellja jonë. Jo, nuk është ajo. Problemi është biokimia nën të. Tani mund të më thoni, "Po ne të tjerët? Ne, që s’kemi tumore në tru." Në fakt, është saktësisht po i njëjti problem. Pa asgjë ndryshe. Tërë ne kemi nivele insuline tri herë më të lartë se sa dikur. dhe pyetja, sigurisht, është prej nga dreqin? A ka diabetikë në sallë? Ka ndonjë? Duhet të jeni ndoca, sepse diabeti është problem shumë i madh këtu. Ja problemi: shtatë në çdo tetë nga ju, shtatë në çdo tetë vetë me diabet as që e dinë se kanë. Nuk e shihni diabetin, deri ditën që nuk shihni nga diabeti. Pra, ende as që e dini se keni probleme. Ja se si duhet parë. Kjo është popullata e Amerikës; 30% të dhjamur, 70% peshë normale. Sipas mantrës standarde, "Është faji i personave mbi peshë që 80% e tyre janë të sëmurë. Janë me diabet të llojit 2; janë me hiperlipidemi; janë me sëmundje kardiovaskulare; janë me hipertension; janë me kancer; janë me marrosje; dhe po na kushtojnë shumë. Ah këta 80%, këta 57 milionë njerëz, sikur t’i futnim në dietë dhe ushtrime, do ta zgjidhnim këtë problem." Kjo është mantra standarde; kjo është e pasaktë. Pasi 20% e këtyre personave të dhjamosur në fakt janë metabolikisht të shëndetshëm. Do të rrojnë një jetë plotësisht normale, do të vdesin në moshë plotësisht normale, pa i kushtuar një qindarkë taksapaguesit. Thjesht janë të dhjamosur. Nga ana tjetër, deri 40% e popullatës në peshë normale kanë saktësisht të njëjtat sëmundje. Diabet të llojit 2, hipertension, dislipidemi, sëmundje kardiovaskulare. Dhe e dini çfarë? As që e dinë që janë me probleme. Po të shtohen edhe këta, bëhen më shumë se gjysma e popullatës së ShBA-s. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për krizë të shëndetit publik. Ja një shembull se si është kjo punë. Ja dy vetë të të njëjtës peshë; njëri i shëndetshëm, tjetri i sëmurë. Si jua ha mendja, cili është i sëmuri? E gjeni dot? Unë po. Ai poshtë është i sëmuri; pse? Tipi sipër, ka vetëm belin të dhjamur. Tipi poshtë ka dhjamë gjithandej përreth organeve të tij, dhe kjo e bën të sëmurë. I thonë HPDhB; H,P,Dh,B. I hollë përjashta, i dhjamur brenda. Mund të shkoj më tej dhe të them që edhe në këtë sallë ka ca HPDhB, dhe mendoni se jeni në rregull, por ja që s’jeni. Ndaj le të flasim rreth krizës së fundit të shëndetit publik që po përjetojmë. HIV-i; a mbani mend HIV-in? 1979; Patient Zero. 1981; termi "AIDS" sapo u sajua. 1986, Everett Koop tha, "E dini? Kemi një problem." Kur u bë HIV-i një krizë e shëndetit publik? 1991. Pse? Sepse Magic Johnson u diagnostikua me HIV. Dhe gjithkush tha, "Punë m____, mund të më ndodhte dhe mua." Kjo është vërtet diçka që rrezikon këdo. Sepse s’është punë huqesh, është punë ekspozimi. Kështu që pyetja është, si ta zgjidhim? Ja dhe problemi; e kemi në këtë diapozitiv, mu këtu. Kjo është fushata e Coca Cola-s "të mundim dhjamësinë", "Coming Together." "Fitorja mbi dhjamosjen kërkon veprim nga krejt ne, bazuar në një fakt të rëndomtë: Krejt kaloritë luajnë rol, pavarësisht se nga i marrim, përfshi Coca-Cola-n, dhe gjithçka tjetër me kalori." Një kalori është një kalori, dhe mund t’i merrni nga karrotat, ose kaloritë mund t’i merrni nga pastat, ose nga Coca Cola, ose nga çfarëdo tjetër me një "C" te emri. Nuk luan rol se nga vijnë kaloritë, pra, "një kalori është një kalori", kështu na thonë. Por a e dini çfarë? Nuk i zë besë gjykimit të përciptë. Unë besoj te të dhënat. Dhe të dhënat pohojnë diçka krejt tjetër. Të dhënat thonë se disa kalori shkaktojnë sëmundje më shumë se të tjerat, sepse kalori të ndryshme metabolizohen ndryshe, sepse një kalori s’është thjesht një kalori. Kur besoni se një kalori s’është thjesht një kalori, ju hapet një botë e tërë përpara dhe, më në fund, bëhet fare e qartë se si të zgjidhet ky problem. Krejt kjo na vjen nga të ushqyerit tonë të ri. Që është 40 vjeç tashmë. Dhe quhet "të ushqyerit perëndimor", quhet "të ushqyerit global industrial", dhe është në fakt të ushqyerit me ushqim të përpunuar. Që e konsumon gjithë kohën cilido prej jush, ju pëlqen apo s’ju pëlqen. Ka tetë gjëra gabim, jo një, por tetë gjëra gabim me ushqimet e përpunuara, dhe ja cilat. Tre gjëra pak, pesë gjëra shumë. Fibër jo aq sa duhet, acide yndyrore omega-3 jo aq sa duhet, të cilat i merrni nga peshku natyral, jo ai i rezervateve artificialë, mikroelementë ushqyes, gjithë vitaminat dhe të ngjashëm, jo aq sa duhet. Veç këtyre, shumë yndyrna të përpunuara, por e dimë që konsumi i tyre po bie, aminoacide BCAA; këto janë aminoacide që i merrni nga viçat e ushqyer me misër, pulat dhe peshku, acide yndyrore omega-6 nga vajra farash, alkooli, dhe së fundi, përbindëshi, ai që i vë poshtë krejt shtatë të tjerët, sheqeri. Sheqeri, dakord? Për të do flasim gjatë kohës që na mbetet. A shkakton sheqeri diabetet? Gjithkush thotë, "Po, por për shkak të kalorive." "Sheqernat janë kalori të zbrazëta," ky është besimi i rëndomtë. Jo; kjo s’është absolutisht e vërtetë. Sheqernat janë "kalori toksike". në fakt, studime në Europë tregojnë se konsumi i një pijeje të sheqerosur në ditë, e rrit rrezikun për diabet me 29%, pavarësisht kalorive, pavarësisht nga pesha juaj, pavarësisht nga çfarëdo tjetër që hani. Është dëshmuar se për çdo 150 kalori që konsumon bota, prania e diabetit hipën me 0.1%, që s’është ndonjë gjë. Por nëse këto 150 kalori vijnë nga një kanoçe freskuesesh, diabeti rritet me 11 herë. 1.1%, dhe ne s’konsumojmë një kanoçe, konsumojmë dy e gjysmë. Ndaj 29% e krejt diabeteve në botë vijnë nga sheqeri, dhe vetëm nga sheqeri. Ky studim plotëson si kriterin shkencor, ashtu edhe atë ligjor të shkakësisë. Duhet të jeni në gjendje të tregoni se diçka shkaktohet nga diçka tjetër, përpara se të bëni diçka për të. Ne e kemi provuar, e kemi treguar. Tregohet edhe këtu, e njëjta gjë. Tani pyetja është, pse ndodh kjo? E para: sheqeri shkakton grumbullim dhjami në mëlçi. Tërë ai dhjamë përreth organeve që sapo ju tregova. E sigurt, ja se ç’shkakton. Dhe ky s’është dhjamë rreth belit, ky është brenda jush. E dyta: sheqeri është adiktiv. Dobët, por është i kudondodhur, është si puna e alkoolit. Dhe rreth 20% e njerëzve janë të varur nga alkooli, me gjasë, po kaq edhe nga sheqeri. Pra nuk ndaleni dot. Ky diapozitivi këtu tregon praninë e diabetit në shkallë botërore sot. Cilët janë më keq? Arabia Saudite, Kuvajti, EBA-të, Katari dhe Malajzia. Më keq se të gjithë. Po çne këta? Ku s’ka alkool. Por këta i hynë pijeve freskuese për të mos mbetur prapa modës. Sepse atje bën vapë, dhe furnizimi me ujë është një pikëpyetje, dhe s’ka alkool. (Të qeshura) Ja se ç’fituan. Por e dini se më mirë do të preferoja alkool? Sepse mund të bëhesh thumb vetëm një herë në ditë. (Të qeshura) Kurse me pijet freskuese; natë e ditë. Sheqer në mëngjes, sheqer në mbrëmje, sheqer në çdo vakt. Ja se ç’shohim. Pra, jemi të mbidozuar. Shoqata Amerikane e Zemrës thotë se do të duhej të konsumonin 6 deri në 9 lugë kafeje sheqer në ditë; ne kemi mbërritur te 22. Dhe 80% e ushqimeve që ofrohen sot në dyqanet amerikane janë të dendura me sheqer shtesë. Dhe kjo për interesat e industrisë, jo tuajin. Pra, ndalohet hyrja. Hyrje e ndaluar… sepse nuk ka hyrje fare. Ushqimi real është i vështirë të gjendet. E dyta: Po fakti që ka 56 emra për sheqerin, kështu që ju as që e dini se po e konsumoni. Ja ku i keni. Mungesë informacioni. Po lidhur me këtë? Gjithkush e di se ç’është një etiketë "Fakte Vlerash Ushqyese". Atje ka një numër në vjollcë. Quhet "Vlerë Ditore". Vini re, s’ka asnjë për sheqerin, dhe kjo është e qëllimtë sepse nuk duan që ta dini se sa shumë është shumi. Pra, mungesë informacioni. Programi Kombëtar për Drekën Në Shkolla? Gjashtë qindarka më shumë. Gjashtë qindarka arriti të marrë Michelle Obama nga Kongresi. Që s’dalin as për dy kokrra rrush. Dhe, nëse hani mëngjesin në shkolla, ju japin Fruit Loops dhe një gotë lëng portokalli. Që i bie 11 lugë kafeje sheqer; e keni kaluar tashmë cakun tuaj. Doni ta dini pse e kemi problemin? Ja pse e kemi problemin. Por gjithkush thotë, "Edukim!" "Edukoni publikun, edukoni popullatën, u thoni se ç’bëhet!" Por ka një kleçkë: edukimi s’ka bërë punë për asnjë nga substancat me të cilat abuzohet. A funksionoi "Thjesht i Thoni Jo" i Nancy Reagan-it? (Të qeshura) Apo jo? (Të qeshura) Dhe e dini çfarë? Mund ta provoj që s’bën punë, ngaqë ja ku kam çmimet e aksioneve sipas S&P 500 për McDonald's-in, Coke-ën, dhe Pepsi-n, dhe shihni se ç’ndodhi me krizën ekonomike më 2008. Kanë ecur shumë mirë, falë jush. Në fakt, nëse doni të bëni para, investoni në një kompani ushqimore. Pra, ku na shpie kjo? Na shpie te çështja e lirisë dhe përgjegjësisë personale. Ç’do të thotë në të vërtetë përgjegjësi personale? Hmm, nëse informacioni mbahet i fshehtë dhe nuk dini gjë, nëse hyrja në të është e kufizuar sepse as që arrini ta gjeni hyrjen, dhe nëse shoqëria nuk ia del dot, dhe s’ia dalim as t’u japim fëmijëve tanë diçka të shëndetshme për të ngrënë, a bëhet vërtet fjalë për përgjegjësi personale? Dhe së fundi, nëse vendimi juaj për të pirë një pije të sheqerosur ju shpie në sallën e urgjencës dhe më kushton edhe mua para, dhe nëse vendimi juaj për të qenë i dhjamur dhe i sëmurë i kushton punëdhënësit tuaj 2750 dollarë për të punësuar, qofshi i dhjamur apo jo, e dini se si i thonë kësaj? Kësaj s’i thonë liri, i thonë anarki. Këtë kemi fituar. Liberalët do të thonë, "Dale një sekondë; s’do më thuash ti se ç’të ha!" Hmm, e dini çfarë? Ju kanë thënë tashmë se ç’të hani. Ku qetë 40 vjetët e fundit teksa furnizimi ushqimor ndryshonte përpara hundës tuaj. Mos protestuat gjë vallë atëherë? Liberalët do të thonë, "Jashtë qeveria nga kuzhina ime!" E dini që as unë nuk dua qeveri në kuzhinën time, veç po qe se në të ka diçka edhe më të rrezikshme se ajo. Pra pyetja në thelb është, kë dreqin doni në kuzhinën tuaj? Qeverinë, që do t’ju marrë lirinë dhe portofolin? Apo industrinë ushqimore, që ju ka marrë tashmë lirinë, portofolin dhe shëndetin? Vetëm këtë mund të zgjidhni. Tani, pas gjithë sa thamë, industria ushqimore përbëhet nga shumë njerëz, dhe e dini çfarë? Ata vërtet duan të bëjnë gjënë e duhur, duan. Si individë, do të donin të bënin gjënë e duhur. Jam takuar me këta njerëz, dhe në fakt janë njerëz shumë të mirë, por punojnë për një kompani ushqimore. dhe ndryshe nga ç’thotë Gjykata e Lartë, korporatat nuk janë njerëz. Ngaqë korporatave u është besuar përgjegjësi kundrejt aksionerëve, dhe jo njerëzve. Korporatat punojnë me cikle tremujore fitimesh, dhe me raporte Wall Street-i. Dhe këto raporte duan fakte. Jam takuar me industrinë ushqimore, dhe do t’ju tregoj një shembull, pa zënë në gojë emra, Ma thanë troç, dhjetë shkencëtarë, dhjetë funksionarë korporatash, më thanë, "Po, mund të ndryshojmë. E kemi bërë edhe herë tjetër. Na u desh të ndryshonim dikur në vitet ’80, kur kaluam te ulja e yndyrnave, me dy kushte; s’e bëjmë dot vetëm, dhe s’mund të humbim para." Këto janë dy pengesat sot. Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë që atyre u duhet thënë ç’të bëjnë, dhe duhet ta bëjnë të gjithë në të njëjtën kohë, që askush të mos ketë epërsi në konkurrence. Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë qeveri. Por qeveritë janë bashkëfajtore dhe vetëkënaqen. Paguhen për këtë. Më shumë se gjysma e Kongresit merr para nga industria ushqimore. Dhe 6% e eksporteve tona janë ushqimore. Ç’mendoni se do të ndodhte sikur papritmas t’i thoshim botës, "E dini se gjithë ai pleh të cilin hedhim në ushqim, s’është fare i mirë për ju?." Ç’ndodhi kur një lopë e ligur u shpu nga Kanadaja në shtetin e Uashingtonit? Erdhi fundi për shitjet e mishit në Britani dhe Kore të Jugut për dy vjet. Nejse, këta janë matanë. Por ne na mbetet kriza, ngaqë s’do të kemi kujdes shëndetësor. Ja një raport që sapo doli nga një bankë investimesh, një bankë investimesh ndërkombëtare, Credit Suisse, me titull Konsumi i Sheqerit në Udhëkryq, dhe ja një citim fill prej këtij vëllimi: "Besojmë se taksimi më fort i ushqimeve dhe pijeve me sheqer do të ishte opsioni më i mirë për të ulur konsumin dhe financuar kostot e kujdesit shëndetësor që lidhen me diabetin dhe dhjamësinë." Një bankë investimesh bën thirrje për taksim. Ja pra si madh dhe i rëndë është bërë ky problem. Unë besoj se ushqimi duhet të sjellë shëndet, jo sëmundje, dhe dikur kështu ka qenë. Por a e dini çfarë? Kjo është një krizë e shëndetit publik, dhe krizat e shëndetit publik nuk zgjidhen me një person në herë. Ja një listë sëmundjesh që qenë të tëra çështje përgjegjësie personale, hiq shkallën e rëndë për secilën prej tyre, dhe që u bënë kriza të shëndetit publik. Pse nuk shtohet sheqeri në këtë listë? Përgjegjësia personale s’është ideologji. Është elefant në dhomë, dhe s’e mbajmë dot. Ajo çka na duhet është një politikë e bazuar në biologji. Dhe ka edhe emër. Quhet ushqim i vërtetë. Dhe e vetmja rrugë për ta zgjidhur këtë është të përzihet ky elefant nga kuzhina. Faleminderit. (Duartrokitje)