Siguria është dy gjëra të ndryshme:
është një ndjenjë, dhe është një realitet.
E këto dallojnë nga njëra-tjetra.
Mund të ndiheni i sigurt
edhe kur nuk jeni i tillë.
Dhe mund të jeni i sigurt
edhe pse nuk ndiheni i tillë.
Vërtet, kemi dy koncepte të ndryshme
të projektuar drejt së njëjtës botë.
Ajo çka dua të bëj në këtë trajtim
është t’i ndaj ato veç e veç -
për të parë se ku ndahen
dhe se si konvergojnë.
Gjuha është vërtet një problem këtu.
Nuk ka dhe shumë fjalë të përshtatshme
për konceptet që do të diskutojmë.
Kështu, nëse e shihni sigurinë
nën dritën e termave ekonomikë,
është një heqje dorë nga diçka.
Sa herë që përfitoni ndoca siguri,
përherë hiqni dorë nga diçka.
Si kur është fjala
për një vendim personal -
bie fjala, vendosni të instaloni në
shtëpi një alarm kundër hajnave -
si për një vendim kombëtar - kur
vendosni të pushtoni një vend të huaj -
diçka do të shkëmbeni,
para, kohë, rehati, mundësi,
ndoshta liri themelore.
Pyetja që duhet bërë kur mendoni
për sigurinë çfarëdoqoftë,
nuk është nëse kjo na bën më të sigurt,
por nëse ia vlen shkëmbimi apo jo.
Keni dëgjuar këto vitet e shkuara,
që bota është më e sigurt ngaqë
Sadam Hyseni nuk është në pushtet.
Kjo mund të jetë e vërtetë,
por nuk është e ndonjë peshe kushedi.
Pyetja është, a ia vlejti?
Dhe mund të dilni me vendimin tuaj,
e mandej të vendosni nëse
pushtimi ia vlejti a jo.
Kjo është mënyra se si
mendoni mbi sigurinë -
në terma shkëmbimi.
Shpesh, këtu nuk ka "drejt" apo "gabim".
Disa nga ne kanë sistem alarmi në shtëpi,
dhe disa jo.
Kjo do të varej nga se ku banojmë,
nëse banojmë vetëm apo kemi familje,
sa gjëra me vlerë kemi,
deri në ç’shkallë do të donim të pranonim
rrezikun e vjedhjes.
Në politikë gjithashtu,
ka opinione të ndryshme.
Shumë herë, këto heqje dorë
lidhen me më tepër se thjesht sigurinë,
dhe mendoj se kjo është
vërtet e rëndësishme.
Njerëzit kanë një intuitë natyrore
për këto shkëmbime.
Përditë bëjmë të tilla -
mbrëmë në dhomën time në hotel,
kur vendosa ta kyç dy herë derën,
ose ju në makinën tuaj kur erdhët këtu,
kur shkojmë për drekë
dhe vendosim që ushqimi nuk është
i helmuar dhe do ta hamë.
Këto shkëmbime i bëjmë gjithë kohën
disa herë në ditë.
Shpesh as që i vëmë re.
Janë pjesë e gjallimit tonë;
kështu bëjmë të gjithë.
Të gjitha speciet veprojnë kështu.
Përfytyroni një lepur në arë,
duke ngrënë bar,
dhe lepuri papritmas sheh një dhelpër.
Lepuri do të marrë një vendim sigurie:
“Të rri, apo të bëhem tym?”
Po ta mendojmë një çast,
lepujt që janë të zotë në
marrjen e këtij vendimi
priren të rrojnë dhe të riprodhohen,
ndërsa lepujt që nuk ia dalin dot
do të bëhen pre ose do të ngordhin urie.
Kështu që mund të mendonit
se ne, si specie e suksesshme në planet -
ju, unë, kushdo -
jemi vërtet të zot
për këto lloj vendimesh.
Ja që, me sa duket, pareshtur,
jemi dëshpërimisht të paaftë këtu.
Dhe mendoj që në thelb, kjo
është një çështje me interes.
Do t’i përgjigjem shkurt.
Përgjigja është: reagojmë
ndaj ndjesive të sigurisë
dhe jo realitetit.
Kjo funksionon shumicën e kohës.
Shumicën e kohës,
ndjesia dhe realiteti janë e njëjta gjë.
Sigurisht që kjo është e vërtetë
për pjesën dërrmuese
të prehistorisë njerëzore.
Këtë aftësi e kemi zhvilluar
ngaqë ka kuptim
nga pikëpamja evolucionare.
Një mënyrë për ta parë atë
është se jemi shumë të specializuar
për vendime lidhur me rreziqe
që ishin endemike për jetesën
në grupe të vegjël familjarë
në pllajat e Afrikës Lindore në
vitet 100 000 para erës sonë --
jo dhe aq për Nju Jorkun e 2010-s.
Perceptimi i rrezikut mbart
disa njëanshmëri.
Këtu mund të eksperimentohet goxha.
Dhe mund të shihni disa
njëanshmëri që përsëriten.
Po ju tregoj katër të tilla.
Priremi të mbivlerësojmë rreziqet
spektakolare dhe të rralla
dhe të mos peshojmë sa duhet
rreziqet e rëndomta --
bie fjala fluturimi kundrejt
udhëtimit me automjete.
E panjohura perceptohet
më e rrezikshme se sa familjarja.
Një shembull do të ishte,
njerëzit kanë frikë se mos
rrëmbehen nga të panjohur,
ndërkohë që të dhënat mbështesin faktin se
rrëmbimi i fëmijëve nga persona të afërt
është shumë më i shpeshtë.
Së treti, rreziqet e veshur dikujt
perceptohen si të ishin
më të mëdhenj se rreziqet anonimë --
pra Bin Laden është më
i frikshëm sepse ka një emër.
Dhe së katërti,
njerëzit i nënvlerësojnë rreziqet
në situata që i kanë nën kontroll
dhe mbivlerësojnë ato të situatave
që nuk i kanë nën kontroll.
Kështu, pasi filloni të tymosni
duhan ose të hidheni me parashutë,
ua nënvlerësoni rreziqet.
Nëse ju servirin një rrezik -
terrorizmi qe shembull i goditur -
do ta mbivlerësonit, ngaqë
nuk ndiheni se e keni nën kontroll.
Ka një dorë njëanshmërish
të tilla, njëanshmëri konjitive,
që prekin vendimet tona
në lidhje me rreziqet.
Luan rol heuristika e të gatshmes,
që në thelb do të thotë
probabilitetin e diçkaje
e vlerësojmë nga shkalla
se sa e lehtë është të sjellim
në mendje raste të saj.
Mund të përfytyroni si funksionon kjo.
Nëse dëgjoni shpesh rreth sulmesh nga
tigrat, i bie të ketë plot tigra përqark.
Për sulme nga luanët nuk dëgjoni,
i bie të mos ketë shumë luanë përqark.
Kjo funksionon deri ditën
që shpiket gazeta.
Sepse ajo që bëjnë gazetat
është të përsërisin pa pushim
rreziqet e rralla.
Unë u them njerëzve, po qe te lajmet,
mos e çani kryet.
Ngaqë me përkufizim,
lajmet janë diçka që
thuajse nuk ndodhin kurrë.
(Të qeshura)
Kur diçka është kaq e rëndomtë,
nuk përbën më lajm -
përplasje makinash, dhunë në familje -
këto janë rreziqet për
të cilat shqetësoheni.
Jemi edhe ca specie rrëfimtarësh.
Reagojmë ndaj historive më
shumë se sa ndaj të dhënave.
Edhe pazotësia në aritmetikë luan rol.
E kam fjalën, thënia "Një, Dy, Tre, Plot"
është deri diku e drejtë.
Jemi shumë të zotë me numrat e vegjël.
Një mollë, dy mollë, tre mollë,
10,000 mollë, 100,000 mollë --
prapë më tepër se sa mund të hanit
para se të zënë e të kalben.
Pra, një gjysmë, një çerek,
një e pesta - me këto ia dalim mbanë.
Një në një milion, një në një miliard -
të dyja janë thuajse baras me kurrë.
Pra, kemi probleme me rreziqet
që nuk janë shumë të zakonshëm.
Ajo çka bëjnë këto njëanshmëri konjitive
është veprimi si filtrues
mes nesh dhe realitetit.
Dhe përfundimi është
që ndjesitë dhe realiteti shpërputhen,
bëhen dy gjëra të ndryshme.
Ju, ose keni ndjesinë - ndjeheni
më i sigurt se sa jeni.
Këtu ka një ndjenjë të rreme sigurie.
Ose e kundërta,
dhe këtu bëhet fjalë për
një ndjenjë të rreme pasigurie.
Unë shkruaj mjaft rreth
"teatrit me sigurinë,"
pra produkte që i bëjnë
njerëzit të ndihen të sigurt,
por që në fakt nuk bëjnë ndonjë gjë.
Nuk ka ndonjë term për gjëra
që na bëjnë të sigurt,
por që s’na bëjnë të ndihemi të sigurt.
Ndoshta kjo është ajo çka CIA
është menduar të bëjë për ne.
Po i kthehemi anës ekonomike.
Nëse ana ekonomike, tregu,
udhëheq sigurinë,
dhe nëse njerëzit marrin vendime
bazuar në ndjesitë mbi sigurinë,
atëherë gjëja e zgjuar
që do bërë nga kompanitë,
për nxitje ekonomike,
është t’i bëjnë njerëzit
të ndihen të sigurt.
Dhe ka dy rrugë për ta arritur këtë.
Njëra, i bëni vërtet
njerëzit më të sigurt
dhe shpresoni që ta vënë re.
Ose tjetra, thjesht i bëni
të ndihen më të sigurt
dhe shpresoni që nuk do ta vënë re.
Atëherë ç’e tërheq vëmendjen e njerëzve?
Një dorë gjërash:
kuptimi mbi sigurinë,
rreziqet, kërcënimet,
kundërmasat, mënyra si funksionojnë këto.
Por nëse i njihni gjërat,
ka më tepër gjasa që ndjesitë
tuaja të përputhen me realitetin.
Na vijnë në ndihmë mjaft
shembuj nga bota e njëmendtë.
Të gjithë e njohim shkallën
e kriminalitetit në lagjen tonë,
ngaqë aty banojmë, dhe
përftojmë për të një ndjesi
që në thelb përputhet me realitetin.
Teatri me sigurinë shpaloset
atëherë kur është e qartë
që nuk po funksionon si duhet.
Bukur, atëherë ç’i bën
njerëzit të mos vënë re?
Të kuptuarit, njohja e pakët.
Nëse nuk i kuptoni rreziqet,
nuk kuptoni dot koston,
ka gjasa që të merrni vendimin e gabuar,
dhe ndjesitë tuaja të mos përputhen
me realitetin.
Këtu nuk ka mjaft shembuj.
Ka një problem të brendshëm
me ngjarjet me probabilitet të pakët.
Nëse, për shembull,
terrorizmi thuajse nuk ndodh kurrë,
është vërtet e zorshme të gjykohet
efektshmëria e masave kundër terrorizmit.
Kjo është arsyeja pse vazhdohet
me bërjen kurban të virgjëreshave,
dhe pse mbrojtja nga kuçedrat
funksionon përsosur.
Shembuj të mjaftueshëm të dështimeve s’ka.
Po ashtu, ndjesitë që, si retë,
fshehin pas çështjet -
njëanshmëritë konjitive
për të cilat fola më lart,
frikërat, besimet e miletit,
në thelb një model
jo adekuat i realitetit.
Më lejoni t’i ndërlikoj gjërat.
Kemi ndjesitë dhe realitetin.
Dua të shtoj një element të tretë.
Dua të shtoj një model.
Ndjesitë dhe modeli - në trurin tonë,
realiteti është bota atje tej.
Që nuk ndryshon; është e njëmendtë.
Pra, ndjesitë bazohen në intuitën tonë.
Modeli bazohet te arsyetimi.
Ky është në thelb ndryshimi.
Në një botë primitive dhe të thjeshtë,
vërtet nuk ka nevojë për një model.
Ngaqë ndjesitë janë afër realitetit.
Nuk keni nevojë për model.
Por në një botë moderne dhe të ndërlikuar,
ju duhen modele
që të kuptoni një numër rreziqesh që hasim.
Për bakteret nuk kemi ndjesi.
Ju duhet një model për t’i kuptuar.
Ky model
është një paraqitje e mençur e realitetit.
Është, sigurisht, i kufizuar nga shkenca,
nga teknologjia.
Para shpikjes së mikroskopit për t’i parë,
s’mund të kishte shpjegime
teorike të sëmundjeve.
Ato kufizohen nga njëanshmëritë
tona konjitive.
Por modeli ka aftësinë
të anashkalojë ndjesitë tona.
Nga i gjejmë këto modele?
I marrim nga të tjerët.
I marrim nga feja, kultura,
mësuesit, të moshuarit.
Para ca vitesh,
qeshë në Afrikën e Jugut për safari.
Shoqëruesi im ish rritur
në Parkun Kombëtar Kruger.
Dhe kish disa modele shumë
të ndërlikuara se si të mbijetosh.
Që vareshin nga çfarë sulmoheshe
luan apo leopard, rinoqeront
apo elefant --
kur duhej të bëheshe tym,
dhe kur jo,
kur duhej të ngjiteshe në pemë --
kur s’duhej të ngjiteshe kurrë në pemë.
Unë do të kisha vdekur brenda ditës,
por ai qe lindur aty,
dhe e kish kuptuar si të mbijetonte.
Unë jam lindur në Nju Jork.
Mund ta kisha marrë në Nju Jork,
dhe të vdiste ai brenda ditës.
(Të qeshura)
Ngaqë kemi modele të ndryshme
bazuar në përvojat tona të ndryshme.
Modelet mund të na vijnë nga mediat,
nga zyrtarët e votuar prej nesh.
Sillni në mend modelet e terrorizmit,
rrëmbimin e fëmijëve,
sigurinë e linjave ajrore,
sigurinë rrugore.
Modelet mund të vijnë nga industria.
Dy të tilla që po ndjek,
janë kamerat e survejimit,
dhe kartat ID,
jo pak modele sigurie kompjuteri
vijnë prej industrisë.
Mjaft modele vijnë prej shkencave.
Modelet nga shëndeti
janë shembull i bukur.
Mendoni për një çast kancerin, gripin
e shpendëve, gripin e derrave, SARS-in
Krejt ndjesitë tona të sigurisë
lidhur me këto sëmundje
vijnë prej modelesh
që na janë dhënë, vërtet,
nga shkenca e filtruar nga media.
Pra modelet mund të ndryshojnë.
Modelet nuk janë të palëvizshme.
Teksa mësohemi më mirë
me mjediset tona,
modelet tona zhvendosen
më afër ndjesive tona.
Një shembull mund të ishte,
sikur të ktheheshit 100 vjet pas
kur zuri të përhapej
së pari elektriciteti,
kish plot frikë prej tij.
Dua të them, pati njerëz që kishin
frikë t’i binin ziles së portës,
ngaqë punonte me korrent,
dhe ky qe i rrezikshëm.
Ne sot e kemi shumë kollaj
me elektricitetin.
Ndërrojmë llamba
pa e menduar fare.
Modeli ynë i sigurisë së elektricitetit
është diçka që e gjetëm këtu, sapo lindëm.
Nuk ka ndryshuar as kur rriteshim.
Dhe ia kemi marrë dorën.
Ose mendoni rreziqet
në Internet nga brezi në brez --
si e trajtojnë sigurinë
në Internet prindërit tuaj,
kundrejt trajtimit tuaj,
kundrejt atij që do t’i bëjnë fëmijët tanë.
Modelet tek e fundit treten në prapaskenë.
"Intuitiv" është thjesht
një tjetër fjalë për "familjar".
Pra, teksa modeli juaj
është afër realitetit,
dhe bëhet njësh me ndjesitë,
shpesh nuk e dini që gjendet aty.
Një shembull i bukur i kësaj
na erdhi vitin e kaluar
me gripin e derrave.
Kur u shfaq së pari gripi i derrave,
lajmet fillestare shkaktuan
jo pak reagime të tepruara.
Pse kish një emër,
që e bënte më të frikshëm
se sa gripi i zakonshëm,
edhe pse i zakonshmi
është më vdekjeprurës.
Dhe njerëzit menduan që mjekët duhej
të ishin në gjendje të merreshin me të.
Pra patëm edhe ndjesinë
e mungesës së kontrollit.
E kështu këta dy elementë
e bënë më të rrezikshëm se sa qe.
Dora-dorës që lajmi u vjetrua,
kaluan muaj,
dhe pasoi një shkallë tolerimi,
njerëzit u mësuan me të.
Nuk pati të dhëna të reja,
por frika u zvogëlua.
Në vjeshtë,
njerëzia mendonte
se mjekët duhej ta kishin
zgjidhur tashmë çështjen.
Dhe mbërrijmë në udhëkryq --
njerëzve iu desh të zgjidhnin
o frikën, o pranimin -
në fakt, o frikën, o indiferencën -
ata thuajse zgjodhën dyshimin.
Dhe dimrin e kaluar, kur u shfaq vaksina,
pati jo pak njerëz - një numër befasues -
që nuk pranuan ta marrin -
shembull i bukur
se si ndjesitë e njerëzve mbi sigurinë
ndryshuan, se si ndryshon modeli i tyre,
në mënyrë të çrregullt
pa të dhëna të reja,
pa prurje të reja.
Kjo lloj gjëje ndodh shpesh.
Po shtoj edhe një ndërlikim tjetër.
Kemi pra ndjesitë, modelin, realitetin.
Unë kam një ide mjaft
relativiste mbi sigurinë.
Mendoj se varet nga vëzhguesi.
Dhe në shumicën e vendimeve
mbi sigurinë
përfshihen një numër njerëzish.
Të interesuarit
për vendime specifike
do të përpiqen të ndikojnë vendimin.
Unë këtë e quaj plani i tyre i punës.
Dhe plani shihet -
si marketing, si politikë -
që rreket t’ju bindë të zgjidhni
një model dhe jo tjetrin,
orvatje për t’ju bindur
të shpërfillni një model
dhe për t’u besuar ndjesive tuaja,
duke shtyrë në anë njerëzit
me modele që nuk ju pëlqejnë.
Kjo nuk është e padëgjuar.
Një shembull, shembull i shkëlqyer,
është rreziku nga duhan-pirja.
Në historinë e 50 vjetëve të shkuar,
rreziku nga duhan-pirja
shpalos mënyrën se si ndryshon modeli,
dhe tregon edhe se si një
industri lufton kundër
një modeli që nuk e pëlqen.
Krahasojeni këtë me debatin
e duhanpirësve pasivë -
këtu e 20 vjet të shkuar ndoshta.
Sillni në mend rripat e sigurimit.
Kur isha fëmijë, askush nuk
përdorte rripa sigurimi.
Sot, asnjë fëmijë s’do t’ju lejojë
të ngisni makinën
po nuk patët vënë rripin e sigurimit.
Krahasojeni këtë me debatin për airbag-un,
këtu e 30 vjet të shkuar ndoshta.
Krejt këta janë
shembuj ndryshimi modelesh.
Mësimi që nxjerrim është se
ndryshimi i modeleve është i vështirë.
Është e vështirë të çrrënjosësh modelet.
Nëse janë njësoj me ndjesitë tuaja,
ju as që e kuptoni se keni një model.
Dhe këtu ndërhyn një tjetër
njëanshmëri konjitive
Do ta quaj njëanshmëri konfirmimi,
nën efektin e së cilës ne
priremi të pranojmë të dhëna
që ripohojnë besimet tona
dhe të hedhim tej të dhënat
që kundërshtojnë besimet tona.
Pra, edhe pse me dëshmi
kundër modelit tonë,
ka shumë mundësi që ne t’i shpërfillim,
edhe pse janë joshëse.
Duhet të bëhet shumë joshëse,
pa t’i kushtojmë vëmendje.
Modelet e reja, që prekin periudha
të gjata kohore, janë të zorshme
Ngrohja globale është
shembull i goditur.
Jemi shumë dobët
me modelet që shtrihen mbi 80 vjet
Mund t’ia dalim deri te korrja e ardhshme.
Shpesh shtyhemi deri sa
fëmija të jenë rritur.
Por me 80 vjet nuk ia dalim dot hiç.
Ndaj është një model shumë
i vështirë për t’u pranuar.
Mund t’i kemi njëkohësisht
që të dy modelet në kokë,
ose atë lloj problemi
ku i mbajmë tok të dy besimet,
ose disonancën konjitive.
Në fund fare,
modeli i ri do të zëvendësojë
modelin e vjetër.
Ndjesitë e forta mund
të krijojnë një model.
11 Shtatori krijoi një model sigurie
në kokën e shumë njerëzve.
Po ashtu, këtë mund ta bëjë
përvoja personale në krime,
frika personale për shëndetin,
frika për shëndetin, e ardhur nga lajmet.
Do të shihni ato që psikiatrët
i quajnë ngjarje rrufe.
Prej tyre mund të krijohet
në çast një model,
ngaqë janë shumë emotive.
Pra, në botën teknologjike,
nuk kemi përvojë
që të gjykojmë modelet.
Dhe bazohemi te të tjerët.
Bazohemi te ndërmjetës.
Dua të them, kjo funksionon për
aq kohë sa të ndreqen të tjerët.
Bazohemi te agjencitë qeveritare
që na tregojnë se cilat
barna janë pa rrezik.
Dje mbërrita këtu me avion.
Nuk i bëra gjë kontroll avionit.
U bazova në një grup tjetër
që përcaktoi nëse avioni im
mund të fluturonte pa rrezik.
Ja ku jemi, dhe asnjë nga ne s’i trembet
shembjes së tavanit mbi kokat tona,
jo ngaqë e kontrolluam gjë,
po ngaqë jemi goxha të sigurt
që kushtet e ndërtimit këtu janë të mira.
Është një model që thjesht e pranojmë
jo pak në mirëbesim.
Dhe nuk prish punë.
Tani, ajo që duam
është që njerëzit të familjarizohen
mjaftueshëm
me modele më të mira -
t’i kenë të pasqyruar
në ndjesitë e tyre -
që t’i lejojnë vetes të marrin
vendime sigurie.
Kur këto shpërputhen,
keni dy mundësi.
Njëra, mund të rregulloni
ndjesitë e njerëzve,
duke joshur drejtpërdrejt ndjesitë.
Ky është manipulim,
por mund të funksionojë.
Rruga e dyta, më e ndershmja,
është të ndreqet vetë modeli.
Ndryshimet ndodhin ngadalë.
Debati mbi duhan-pirjen hëngri 40 vjet,
dhe ky qe një nga ata të lehtët.
Në disa raste kjo është e vështirë.
Por ama mendoj se
informacioni duket si
shpresa jonë më e mirë.
Ja ku ju gënjeva.
Ju kujtohet që thashë ndjesitë,
modeli, realiteti.
Thashë që realiteti nuk ndryshon.
Në fakt ndryshon.
Jetojmë në një botë teknologjike;
realiteti ndryshon gjithë kohës.
Pra mund të kishim - për herë
të parë për specien tonë -
ndjesitë që ndjekin modelin, ky në ndjekje
të realitetit, realiteti në ndryshim -
mundet të mos e arrijnë
kurrë njëri-tjetrin.
Këtë nuk e dimë.
Por në vështrim afatgjatë,
si ndjesitë, ashtu edhe
realiteti janë të rëndësishëm.
Dhe dua ta mbyll me dy histori
të shkurtra për ilustrim.
1982 - Nuk e di nëse u kujtohet njerëzve -
pati një epidemi të shkurtër
helmimi me Tylenol në Shtetet e Bashkuara.
Qe një ngjarje e tmerrshme.
Dikush mori një shishe Tylenol,
hodhi helm në të, e mbylli,
e vuri prapë në raft.
Dikush e bleu dhe vdiq.
Kjo i tmerroi njerëzit.
Pati disa imitime kopjace të kësaj.
Nuk pati ndonjë rrezik real,
por njerëzit qenë të trembur.
Dhe kështu u shpik
industria e taposjes hermetike të barnave.
Ato kapaçkat hermetike
prej këtij rasti lindën.
Është krejtësisht teatër me sigurinë.
Si detyrë shtëpie, mendoni 10 mënyra
se si ta nxirrni jashtë loje.
Një po jua jap unë, shiringa.
Por bëri që njerëzia të ndihej më mirë.
I bëri ndjesitë e tyre të sigurisë
të përputhen më tepër me realitetin.
Historia tjetër, ca vite më parë,
një shoqja ime lindi fëmijë.
I shkova për vizitë në spital.
Atje pashë se, sot, kur lind një fëmijë,
i vënë një byzylyk RFID foshnjës,
dhe një korrespondues lehonës,
që, nëse dikush tjetër veç mëmës
e qit foshnjën nga shtëpia e lindjes,
zë e bie një alarm.
I thashë, "Punë e paqme.
Po vras mendjen se sa i përhapur
është rrëmbimi i foshnjave në spitale."
Kthehem në shtëpi, dhe zë e kërkoj.
Në thelb nuk ndodh kurrë.
Por po ta mendoni,
po të jeni i spitalit,
dhe keni nevojë t’ia merrni
për pak foshnjën nënës,
jashtë dhomës, për të bërë ca teste,
më mirë të luani një teatër
të bukur sigurie,
përndryshe jua shkurton duart.
(Të qeshura)
Pra ka rëndësi për ne,
për ne që merremi me
konceptimin e sigurisë,
që kontrollojmë rregulla sigurie,
ose vëzhgojmë rregullat publike
nga kënde që prekin sigurinë.
S’është thjesht realiteti,
janë ndjesitë dhe realiteti.
Ajo që ka rëndësi është
që këto të jenë thuajse të njëjta.
Është e rëndësishme që, nëse ndjesitë
tona përputhen me realitetin,
të marrim vendime sigurie më të mira.
Ju falemnderit.
(Duartrokitje)