Pak kohë më parë bëra një eksperiment.
Për një vit do të thoja "po" për
çdo gjë që do të më frikësonte.
Çdo gjëje që do të më tensiononte,
që do të ma prishte rehatinë,
do i thoja 'po' edhe kundër dëshirës.
A doja të flisja në publik?
Jo, por "po".
A doja të isha drejtpërsëdrejti në TV?
Jo, por "po".
A doja të provoja aktrimin?
Jo, jo, jo, por "po, po, po".
Dhe çmenduria ndodhi:
thjesht veprimi i të bërit të asaj
që më frikësonte
e çbëri frikën,
e bëri jo të frikshme.
Frika ime për të folur në publik,
ndrojta para njerëzve, pufff, iku.
Është e pabesueshme, fuqia e një fjale.
'Po'-ja më ndryshoi jetën.
'Po'-ja më ndryshoi mua.
Por ishte një 'po' në veçanti
që e preku aq thellë jetën time,
sa nuk do ta imagjinoja kurrë,
dhe kjo nisi me një pyetje
nga vogelushja ime.
Unë kam tre vajza të mrekullueshme,
Harper, Beckett dhe Emerson,
dhe Emerson është një vogëlushe që
për çudi çdokujt i thërret "zemër"
sikur të ishte një kamarjere nga jugu.
(të qeshura)
"Zemër, më duhet pak qumësht
për gotën time me sqep."
(të qeshura)
Kamarjerja nga jugu më kerkoi
të luaja me të një mbrëmje,
ndërsa isha nisur për diku,
dhe unë thashë: "Po".
Dhe ky 'po' ishte fillimi
i një jete të re për familjen time.
Unë u betova se që nga ai çast,
sa herë që njëri nga
fëmijët e mi më kërkon të luaj,
pavarësisht se çfarë jam duke
bërë a për ku jam nisur,
une do të them 'po', pa asnjë përjashtim.
Pothuajse. Une s'ia dal gjithmonë,
por po përpiqem shumë për t'u ushtruar.
Dhe kjo ka patur nje efekt magjik tek unë,
tek femijët e mi, tek familja jonë.
Por ka patur edhe një efek anësor
të habitshëm,
të cilin vetëm së fundmi kam arritur
ta kuptoj me të vërtetë,
të kuptoj se 'po'-ja për të luajtur
me fëmijët e mi,
ndoshta ka shpëtuar karrierën time.
Shikoni, unë kam një punë që shumica
do ta quanin puna e ëndrrave.
Unë jam shkrimtare. Imagjinoj.
Unë trilloj për të jetuar.
Puna e ëndrrave.
Jo.
Unë jam një titan.
Puna e ëndrrave.
Unë krijoj TV.
Unë drejtoj, prodhoj TV.
Unë bëj televizion,
një mal me televizion.
Kështu, këtë sezon televiziv,
unë mbaj përgjegjësinë që t'i paraqes botës
rreth 70 orë program.
Katër programe televizive, 70 orë TV --
(duartrokitje)
Prodhimi i 3 programeve
njëkohësisht, nganjëherë 4.
Secili program krijon qindra vende pune,
që nuk ekzistonin më parë.
Buxheti për një episod
në një rrjet televiziv
mund të jetë diku
midis 3 dhe 6 milionë dollarëve.
Le të themi 5.
Një episod i ri për çdo 9 ditë
herë 4 emisione,
pra çdo 9 ditë ky televizion kap vlerën
e 20 milionë dollarëve,
4 programe televizive, 70 orë TV,
prodhimi i 3 programeve
njëkohësisht, nganjëherë 4,
16 episode që ecin
pa ndërprerje:
24 episode të "Grey-it",
21 episode të "Scandal-it",
15 episode të
"Si t'i lejosh vetes çdo gjë",
10 episode të "Kurthit",
këto janë 70 orë TV,
këto janë 350 milionë dollarë në sezon.
Në Amerikë, programet e mia
jepen njëra pas tjetrës
të enjteve mbrëma.
Nëpër botë, programet e mia transmetohen
në 256 rajone, në 67 gjuhë
për një audiencë prej 30 milionë vetësh.
Truri im është global,
dhe 45 orë të këtyre 70 orëve TV
janë programe që i kam krijuar vetë,
dhe jo thjesht si producente,
pra para së gjithash,
më duhet të gjej kohë,
kohë të vërtetë qetësie dhe krijimtarie,
që të mbledh fansat
rreth zjarrit të kampit
e t'u rrëfej historitë e mia.
Katër programe televizive, 70 orë TV,
prodhimi i 3 programeve njëherësh,
nganjëherë 4, 350 milionë dollarë,
zjarre kampesh që digjen anembanë botës.
E dini kush tjetër i bën këto?
Askush, pra siç thashë, unë jam një titan.
Puna e ëndrrave.
(duartrokitje)
Por nuk e them këtë për t'ju impresionuar.
Jua them këtë, sepse e di se çfarë
mendoni, kur dëgjoni fjalën "shkrimtare".
Jua them këtë, që të gjithë ju,
që punoni aq shumë,
që drejtoni një firmë,
një vend apo një klasë,
një dyqan apo shtëpi,
të më merrni seriozisht,
kur flas për punë,
që të kuptoni, se unë nuk i rri ngjitur
kompjuterit duke imagjinuar tërë ditën,
që të më dëgjoni, kur them,
se unë e kuptoj, se puna e ëndrrave
nuk do të thotë të ëndërrosh.
Gjithçka është punë, vetëm punë, realitet,
gjak, djersë, asnjë lot.
Unë punoj shumë, lodhem, dhe e dashuroj këtë.
Kur puna rëndohet,
kur jam e zhytur në punë,
asnjë ndjesi tjetër nuk ekziston.
Për mua, puna ime është përherë
të krijoj një komb nga hiçi.
Të ngre trupat ushtarake.
Të pikturoj një kanavacë.
Të kap një notë të lartë.
Të vrapoj në një maratonë.
Të jem Beyoncé.
Dhe janë të gjitha këto njëkohësisht.
Unë e dashuroj punën.
Ajo është krijuese dhe mekanike
dhe rraskapitëse dhe marramendëse
dhe zbavitëse dhe shqetësuese
dhe klinike dhe mëmësore
dhe mizore dhe e matur,
dhe çka e bën të gjithën kaq të mirë
është gumëzhima.
Kur puna ecën mirë,
diçka ndodh brenda meje.
Një gumëzhimë fillon të ndihet
në trurin tim,
dhe ajo rritet e rritet,
dhe ajo ngjan me një rrugë të gjerë,
në të cilën do të udhëtoja pafundësisht.
Shumë njerëz,
kur dua t'iu shpjegoj gumëzhimën,
mendojnë se po flas për të shkruarit,
se kjo më jep kënaqësi.
Dhe mos më keqkuptoni, kështu është.
Por gumëzhima ---
Ishte vetëm kur fillova të bëj televizion,
kur fillova të punoja, të punoja, të bëja,
të ndërtoja, të krijoja e të bashkëpunoja,
që e zbulova këtë gjë,
këtë zukatje, këtë furi, këtë gumëzhimë.
Gumëzhima është më shumë se të shkruash.
Gumëzhima është veprim dhe veprimtari.
Gumëzhima është drogë.
Gumëzhima është muzikë.
Gumëzhima është dritë dhe ajër.
Gumëzhima është pëshpërima e Zotit
mu në veshin tim.
Kur të mbërthen një gumëzhimë e tillë,
ti s'ke rrugë tjetër veç asaj
drejt madhështisë.
Ajo ndjesia që ti s'ke rrugë tjetër
veç asaj drejt madhështisë me çdo kusht.
Kësaj i thonë gumëzhimë.
Apo ndoshta i thonë të jesh
i varur nga puna.
(Të qeshura)
Ndoshta i thonë gjenialitet.
Ndoshta i thonë ego.
Ndoshta është thjesht frikë
nga të dështuarit.
Nuk e di.
Unë di vetëm, që unë
nuk jam bërë për të dështuar,
dhe thjesht e di se e dua gumëzhimën.
Thjesht di, se dua t'ju them
se jam një titan,
dhe unë di, që këtë
s'dua ta vë në diskutim.
Por çështja është kjo:
sa më e suksesshme të bëhem,
sa më shumë programe, episode,
sa më shumë barriera të thyera,
sa më shumë punë për të bërë,
sa më shumë toptha në ajër,
sa më shumë sy drejt meje,
sa më shumë që vëzhgon historia,
aq më shumë pritshmëri ka.
Sa më shumë punoj,
që të jem e suksesshme,
aq më shumë më duhet të punoj.
Dhe çfarë thashë për punën?
Unë e dashuroj atë, apo jo?
Kombi që po krijoj,
maratona në të cilën po vrapoj,
trupat, kanavaca,
nota e lartë, gumëzhima,
gumëzhima, gumëzhima.
Më pëlqen ajo gumëzhimë.
E dashuroj atë.
Unë kam nevojë për të.
Unë jam ajo gumëzhimë.
S'jam asgjë tjetër veç asaj?
Dhe dikur gumëzhima pushoi.
E mbingarkuar me punë, e tejpërdorur,
e çbërë , e rraskapitur.
Gumëzhima pushoi.
Tre vajzat e mia janë mësuar me faktin
që e ëma e tyre është një titan pune.
Harper u thotë njerëzve:
"Mami im nuk do të jetë,
por mund t'i çosh SMS dados".
Dhe Emerson thotë: "Zemër,
unë po pres të shkoj në ShondaLand".
Ato janë fëmijë titani.
Ato janë titanë të vegjël.
Ato ishin 12, 3 dhe 1 vjeç,
kur gumëzhima pushoi.
Gumëzhima e motorit vdiq.
Unë s'e doja më punën.
S'e ndizja dot më motorin.
Gumëzhima nuk po rikthehej.
Gumëzhima ishte prishur.
Unë po bëja të njëjtat gjëra
si gjithmonë, të njëjtën punë prej titani,
ditë 15-orëshe, punë
pa rreshtur edhe fundjavave,
asnjë pendim, pa u dorëzuar kurrë,
një titan nuk fle, ai nuk ndalet kurrë,
me gjithë shpirt, sy-kthjellët, etj., etj.
Por nuk kishte gumëzhimë.
Brenda meje vetëm heshtje.
Katër programe televizive, 70 orë TV,
prodhimi i tre programeve njëherësh,
nganjëherë katër.
Katër programe televizive, 70 orë TV,
prodhimi i tre programeve njëherësh ...
Unë isha një titan i përkryer.
Unë isha titani që do ia
çonit nënës në shtëpi.
Të gjitha ngjyrat ishin po ato,
por unë nuk po argëtohesha më.
Dhe kjo ishte jeta ime.
Gjithçka çka unë bëja.
Unë isha gumëzhima e gumëzhima ishte unë.
Por çfarë bën ti, kur ajo që ti bën,
puna që ti dashuron,
fillon të ketë shijen e pluhurit?
Tani, unë e di se dikush nga ju po mendon:
"Aq më bën,
zonja shkrimtare titane budallaqe".
(Të qeshura)
Por ju e dini, po, e dini,
nëse ju bëni, nëse ju punoni,
nëse e dashuroni atë që bëni,
qofshi mësues, qofshi bankier,
qofshi një nënë, qofshi piktor,
qofshi Bill Gates,
nëse thjesht dashuroni një njeri tjetër
dhe kjo ju sjell gumëzhimën,
nëse ju e njihni gumëzhimën,
nëse e njihni ndjesinë e saj,
nëse e keni provuar,
kur gumëzhima pushon, kush je ti?
Çfarë je ti?
Çfarë jam unë?
A jam ende një titan?
Nëse kënga e zemrës sime nuk dëgjohet më,
a mundem unë të mbijetoj në heshtje?
Dhe atëherë vogëlushja ime, kamarjerja
nga jugu, më bën një pyetje.
Unë jam tek dera, gati për të dalë,
jam vonë, dhe ajo thotë:
"Mama, luajmë bashkë?"
Dhe unë jam gati të them 'jo',
kur më bien ndër mend dy gjëra.
E para, unë duhet të them 'po'për çdo gjë,
dhe, e dyta, kamarjerja ime nga jugu
nuk më thirri 'zemër'.
Ajo nuk i thërret askujt më 'zemër'.
Kur ndodhi kjo?
Të qenurit titan më mungon,
më qan zemra për gumuëzhimën time,
dhe ja ku ajo po ndryshon
mu para syve të mi.
Kështu ajo thotë: "Mama, luajmë bashkë?"
Dhe unë them: "Po".
Asgjë e veçantë deri këtu.
Ne lujamë, motrat e saj na bashkohen,
dhe ne qeshim aq shumë,
dhe unë interpretoj duke lexuar nga
libri "Të gjithë e bëjnë kakën".
Asgjë përtej të zakonshmes.
(Të qeshura)
E megjithatë është e jashtëzakonshme,
sepse në dhimbjen dhe panikun tim,
e pastrehë nga mungesa e gumuzhimës sime,
unë s'duhet të bëj gjë tjetër,
veçse të jem e vëmendshme.
Unë jam e përqendruar.
Unë jam e qetë.
Kombi që po ndërtoj,
maratona ku po vrapoj,
trupat, kanavaca,
nota e lartë, nuk ekzistojnë.
Ekzistojnë vetëm gishta ngjitës,
puthje me dashuri,
zëra të vegjël e lapsa me ngjyra,
dhe ajo kënga për atë gjënë, që
vajza e "Mbretëreshës së dëborës"
duhet ta lërë të iki, çfarëdo qoftë ajo.
(Të qeshura)
Gjithçka është paqe dhe thjeshtësi.
Këtu ajri është kaq i rrallë
sa mezi mbushem me frymë.
Unë pothuajse s'e besoj se po marr frymë.
Loja është e kundërta e punës.
Dhe unë jam e lumtur.
Diçka brenda meje çlirohet.
Një derë hapet në trurin tim,
dhe futet një furi energjie.
Dhe kjo nuk është diçka e çastit,
por ndodh, po, ndodh.
Unë e ndjej.
Një gumëzhimë po kthehet duke u zvarritur.
Jo e plotë, mezi ndihet,
është e lehtë e unë s'duhet të bëj
zhurmë që ta dëgjoj, por është aty.
Jo gumëzhima, por një gumëzhimë.
Dhe tani unë ndihem sikur di
një sekret vërtetë magjik.
Por të mos entuziazmohemi shumë.
Është thjesht dashuri. Vetëm kaq.
Asnjë magji. Asnjë sekret.
Është thjesht dashuri.
Thjesht diçka që kishim harruar.
Gumëzhima, gumëzhima e punës,
gumëzhima e titanit,
është thjesht zëvendësim.
Nëse do t'ju pyesja se kush jam unë,
nëse do më duhej t'ju rrëfeja se kush jam,
nëse e përshkruaj veten përmes programeve,
orëve televizive dhe
asaj se çfarë koçe truri ndërkombëtar kam,
unë kam harruar se kush është
gumëzhima e vërtetë.
Gumëzhima nuk është pushtet
dhe nuk lidhet vetëm me punën.
Gumëzhima lidhet me gëzimin.
Gumëzhima e vërtetë lidhet me dashurinë.
Gumëzhima është elektriciteti
që vjen nga entuziazmi i jetës.
Gumëzhima e vërtetë është besim dhe paqe.
Gumëzhima nuk merret
me vëzhgimin e historisë,
topthat në ajër,
pritshmëritë dhe presionin.
Gumëzhima e vërtetë është
një dhe origjinale.
Gumëzhima e vërtetë është pëshpërima
e Zotit në veshin tim,
por mbase Zoti po pëshpëriste
fjalët e gabuara,
sepse cili nga zotët po më thoshte
se unë jam një titan?
Është thjesht dashuri.
Të gjithë ne mund të përdorim
më shumë dashuri,
shumë më tepër dashuri.
Sa herë që fëmija im
do më kërkojë të luajmë,
unë do them 'po'.
Unë po e kthej në rregull të hekurt
për një arsye:
për t'i lejuar vetes,
që ta çliroj veten nga i gjithë
faji për teprimin me punën.
Është ligj, pra unë s'kam zgjedhje tjetër,
dhe unë nuk kam zgjedhje tjetër -
jo nëse dua ta ndjej gumëzhimën.
Sa do të doja të ishte kaq e lehtë,
por unë nuk jam aq e zonja në lojë.
Mua s'më pëlqen të luaj.
Interesi që kam unë për lojën,
nuk është njëlloj si ai që kam për punën.
Të përballesh me të vërtetën është tepër
poshtëruese dhe e turpshme.
Mua nuk më pëlqen të luaj.
Unë punoj gjithë kohës,
sepse më pëlqen të punoj.
Të punoj më pëlqen më shumë
se sa të jem në shtëpi.
Qasja është tepër e vështirë,
kur përballesh me këtë fakt,
sepse ç'lloj njeriu është ai,
të cilit më shumë i pëlqen të punojë
sesa të jetë në shtëpi?
Epo, unë.
Dua të them, të jemi të sinqertë,
unë e quaj veten titan.
Unë kam probleme.
(Të qeshura)
Dhe një nga këto probleme nuk është
se unë jam shumë e qetë.
(Të qeshura)
Ne vrapojmë nëpër kopësht,
sa nga njëra anë e sa nga tjetra.
Ne bëjmë mbrëmje kërcimi 30-sekondëshe.
Ne këndojmë sigla programesh.
Luajmë me topa.
Unë bëj flluska dhe ato i shpojnë.
Dhe në pjesën më të madhe të kohës unë
ndihem e tendosur, e krisur dhe e hutuar.
Gjithmonë dua të kap celularin.
Megjithatë mirë.
Njerëzit e mi të vegjël më tregojnë si të jetoj
dhe unë mbushem me gumëzhimën e universit.
Unë luaj e luaj derisa
filloj të pyes veten,
vallë, pse pushojmë së luajturi.
Edhe ju mund ta bëni këtë,
të thoni 'po' çdoherë që
fëmija juaj ju kërkon të luani bashkë.
Mos po mendoni se unë jam
një idiote me këpucë me diamante?
Keni të drejtë, por prapë
mund ta bëni këtë.
Kohën e keni.
Dhe e dini pse? Sepse ju nuk jeni Rihanna
dhe nuk jeni një Mapet (Muppet-Show).
Fëmija juaj nuk mendon se jeni
dhe aq interesant.
(Të qeshura)
Ju duhen vetëm 15 minuta.
Vajzat e mia 2- dhe 4-vjeçare
duan të luajnë me mua
vetëm për nja 15 minuta,
para se të mendojnë me vete
se duan të bëjnë diçka tjetër.
Janë 15 minuta të hatashme,
por janë vetëm 15 minuta.
Nëse nuk jam një nuselalë apo një bonbone,
pas 15 minutash unë jam e padukshme.
(Të qeshura)
Dhe 13-vjeçarja ime, nëse ia dal ta bëj
një 13-vjeçare të flasë me mua për 15 min
unë jam Prindi i Vitit.
(Të qeshura)
Gjithçka ju duhet, janë 15 minuta.
Unë mund t'i gjej pa dyshim 15 min kohë
të pandërprerë në ditën time më të keqe.
'Të pandërprerë' është çelësi.
S'ka celular, s'ka larje rrobash,
s'ka asnjë prej gjëje.
Ju keni një jetë të zënë me punë.
Ju duhet të vini darkën mbi tavolinë.
Ju duhet t'i bindni që të bëjnë banjo.
Por 15 minuta i gjeni.
Fëmijët e mi janë vendi im i lumturisë,
bota ime,
por s'duhet të jenë fëmijët tuaj,
karburanti që furnizon gumëzhimën tuaj,
vendi ku jeta shijon më shumë mirë
sesa jo mirë.
S'është fjala që të luash me fëmijët,
bëhet fjalë për gëzimin.
Bëhet fjalë për të luajturit
në përgjithësi.
Jepini vetes 15 minuta.
Gjeni atë që ju bën të ndiheni mirë.
Thjeshtë përfytyrojeni
dhe luani në atë arenë.
Unë nuk ia dal gjithmonë.
Në fakt, unë dështoj po aq sa kam sukses,
duke takuar miq e lexuar libra,
duke ngulur shikimin në ajër.
"Luajmë?" ka filluar të jetë
stenografia e vetëllastimit,
sic nuk kam bërë që nga koha, kur
mora programin tim të parë televiziv,
pikërisht rreth asaj kohe, kur
u bëra një titan në trajnim,
pikërisht rreth asaj kohe kur fillova të
konkuroj me veten për arsye të panjohura.
15 minuta? Pse duhet të jetë gabim,
nëse i jap vetes të gjithë vëmendjen
për 15 minuta?
Me sa duket, asgjë.
Pikërisht akti i të mos-punuarit bëri
të mundur, që gumëzhima të rikthehej,
sikur motori i gumëzhimës do të
rimbushej, vetëm ndërsa unë s'do të isha aty.
Puna nuk ecën pa lojën.
Duhet pak kohë,
por pas disa muajsh,
një ditë porta e digës hapet
dhe ka një rrymë, dhe unë e gjej veten
duke qëndruar në zyrën time,
e mbushur me një melodi jo-familjare,
e mbushur me gaz jete brenda meje
dhe rreth meje, ajo më shpie
drejt ideve të reja,
rruga gumëzhuese është e gjerë
e unë mund të udhëtoj në të pa u ndalur,
dhe unë përsëri e dashuroj punën.
Tani, unë e pëlqej këtë gumëzhimë,
por nuk e dashuroj atë.
Unë nuk kam nevojë për të.
Unë nuk jam ajo. Ajo gumëzhimë
s'është unë -
jo më.
Unë jam flluska, gishta ngjitës
dhe darka me miqtë.
Kjo gumëzhimë jam unë.
Gumëzhima e jetës.
Gumëzhima e dashurisë.
Gumëzhima e punës është ende pjesë e imja,
por nuk është më gjithçka unë jam,
dhe unë ndihem kaq mirënjohëse.
E nuk më plas fare
nëse jam apo jo një titan,
sepse unë kurrë s'kam parë titan
të luajë "ne leshkemi pepeshkemi".
Thashë 'po' për më pak punë
e më shumë lojë,
dhe në një farë mënyre
bota ime është po ajo.
Truri im vazhdon të jetë global.
Zjarret e kampeve ende rrinë ndezur.
Sa më shumë luaj, aq më e lumtur jam,
aq më të lumtur janë fëmijët e mi.
Sa më shumë që luaj,
aq më shumë ndihem një nënë e mirë.
Sa më shumë që luaj,
aq më e lirë është mendja ime.
Sa më shumë që luaj, aq më mirë punoj.
Sa më shumë që luaj,
aq më shumë e ndjej gumëzhimën,
kombin që po ndërtoj,
maratonën ku po vrapoj,
trupat, kanavacën,
notën e lartë, gumëzhimën, gumëzhimën,
gumëzhimën tjetër, gumëzhimën e vërtetë,
gumuëzhimën e jetës.
Sa më shumë e ndjej
atë gumëzhimë,
aq më shumë ky jo-titan i gjallë,
i çuditshëm, që dridhet, i pambrojtur,
i ndrojtur, fringo i ri,
njësohet me mua.
Sa më shumë e ndjej atë gumëzhimë,
aq më shumë e di se kush jam.
Unë jam shkrimtare,
unë trilloj, imagjinoj.
Kjo pjesë e punës,
kjo është të jetosh ëndrrën.
Kjo është ëndrra për punën.
Sepse puna e ëndrrave
duhet të jetë pak ëndërrimtare.
Thashë 'po' për më pak punë
dhe më shumë lojë.
Titanët s'kanë punë këtu.
Do të luash?
Faleminderit.
(Duartrokitje)