Po e filloj me një histori: Rreth dy vjet më parë më telefonon një planifikuese eventesh sepse isha ftuar për të mbajtur një fjalim. Më merr në telefon dhe më thotë, "Nuk di se si të të përshkruaj në pamfleten që do të shpërndaj." Mendova, "Dakord, cili është problemi?" Ajo m'u pergjigj, "Dëgjo, të ndoqa në një fjalim, dhe mendoj se mund të të quaj kërkuese, besoj, por kam frike se nëse të përshkruaj si kërkuese nuk do të vijë asnjeri, sepse do të mendojnë se je e mërzitshme dhe jashtë teme." (Të qeshura) Dakord. Dhe më pas vazhdoi, "Ama ajo që më pëlqeu nga fjalimi yt është se ti tregon histori. Kështu që them të të quaj tregimtare." Dhe normale, pjesa akademike dhe e pasigurt tek unë u përgjigj, "Si the se do të më quash??" Planifikuesja tha, "Do të të quaj tregimtare." Dhe unë, "Jopo Zana e Malit." (Të qeshura) I thashë, "Më lër të mendohem dy sekonda." U përpoqa t'i thërras kurajos sime. Dhe mendova, në fakt unë jam tregimtare. Unë merrem me kërkim cilësor. Mbledh histori njerëzore; ky është profesioni im. Në fund të fundit, ndoshta historite janë thjesht të dhëna që kanë shpirt. Dhe ndoshta unë jam thjesht një tregimtare. Kështu që ia ktheva, "E di çfarë? Pse nuk më përshkruan si kërkuese-tregimtare." Ajo më përgjigjet, "Haha. Nuk ka diçka të tillë." (Të qeshura) Kështu, unë jam një kërkuese-tregimtare, dhe sot do ju flas për -- po flasim për zgjerim përceptimesh -- dua t'ju flas dhe do t'ju tregoj ca histori për një pjesë të punës sime kërkimore që zgjeroi thelbësisht përceptimin tim dhe vërtet ndryshoi mënyrën se si jetoj e dashuroj dhe punoj e kryej funksionin e prindit. Dhe këtu nis historia ime. Në fillimet e mia si kërkuese, kur isha studente doktorature, në vit të parë kisha një profesor kërkimi që na tha, "Kini parasysh, nëse diçka nuk mund të matet, ajo nuk ekziston." Në fillim mendova se po më merrte me të mira. I thashë, "Vërtet?" ma ktheu, "Absolutisht." Tani, duhet të kuptoni që unë jam diplomuar për punë sociale; kam Master në punë sociale, dhe po bëja doktoraturën për punë sociale; domethënë gjatë gjithë karrierës sime akademike kam qenë e rrethuar nga njerëz që në një farë mënyre besonin se jeta është rrëmujë, duhet ta dashurosh atë. Dhe unë besoj në ketë: jeta është rrëmujë, pastroje, rregulloje fute në kuti dhe merre me vete në pune për drekë. (Të qeshura) Dhe kështu mendoja se e kisha gjetur zgjidhjen, të ngre një karriere që më çon drejt -- vërtet, një nga shprehjet e mëdha të punës sociale është të mësohesh me vështirësitë e punës. Thashë me vete: Futi një shkelm vështirësive, hiqi qafe, dhe merr vetëm 10a. Kjo ishte mantra ime. Isha shumë e dhënë pas kësaj. Mendova, e di çfarë, kjo lloj karriere më përshtatet, se mua më interesojnë temat e ndërlikuara. Ama dua të jem në gjëndje ti qartësoj. Dua ti kuptoj. Dua të kem mundësinë ti zhbiriloj gjërat që unë e di që janë të rëndësishme dhe tua tregoj të gjithëve çfarë kam gjetur. Fillimisht fillova të studioj lidhjet. Sepse pas 10 vitesh punë si punonjëse sociale, arrin të kuptosh që lidhjet shpjegojne pse jemi këtu. Lidhjet i japin qëllim dhe kuptim jetëve tona. Kjo është e vetmja gjë për t'u kuptuar. Nuk ka rëndësi nëse flet me njerëz që punojnë në drejtësi sociale, shëndet mendor, abuzim apo neglizhencë, ajo që dimë është që lidhjet, aftësia për t'u ndjerë të lidhur, është -- kështu jemi kurdisur në mënyrë neurobiologjike -- kjo është arsyeja pse jemi në këtë botë. Prandaj mendova të nis me lidhjet. E keni parasysh atë lloj situate kur merr vlerësimin nga eprori, dhe të liston 37 gjëra në të cilat shkëlqen, dhe një gjë -- një "mundësi për zhvillim"? (Të qeshura) Mendja të rri vetëm tek ajo "mundësia për zhvillim", apo jo? Mesa duket kështu funksionon edhe puna ime, sepse kur njerëzit i pyet për dashurinë, ata të flasin për vuajtjet nga dashuria. Kur i pyet njerëzit për përkatësinë, do të të flasin për eksperiencat më të tmerrshme të të ndjerit të përjashtuar. Dhe kur i pyet njerëzit për lidhjet, historitë që më tregonin kishin të bënin me mungesën e lidhjeve. Kështu që shumë shpejt -- pas rreth vetëm 6 javë kërkimesh -- hasa në një fenomen të pashpjeguar që i zbërthen lidhjet në një mënyre që atëhere nuk e kuptoja dhe nuk e kisha hasur kurrë më parë. Kështu që e lashë mënjanë kërkimin dhe mendova, më duhet ta kuptoj çfarë është kjo. Si përfundim doli që ishte turpi. Dhe turpi mund të kuptohet shumë lehtë si frika e humbjes së lidhjeve. A ka diçka tek unë që, nëse njerëzit e dinë apo e shohin, do të më bëjë të padenjë për të pasur lidhje me të tjerët? Dy gjëra mund t'ju them për këtë: është universale; të gjithë e kemi. Të vetmit njerëz që nuk e kanë ndjenjën e turpit janë ata që nuk janë të aftë të krijojnë lidhje njerëzore, nuk kanë ndjeshmëri njerëzore. Askush nuk do të flasë për të [turpin] dhe sa më pak flet për të, aq më shumë e ke. Ajo që e ushqen këtë ndjenjë turpi, mendime të tipit "S'jam e mirë sa duhet," -- të gjithë e njohim këtë lloj ndjenje: "Nuk jam ...... sa duhet, Nuk jam aq e hollë sa duhet, e pasur mjaftueshëm, e bukur sa duhet, e zgjuar sa duhet, e promovuar mjaftueshëm." Ajo që ushqen këto ndjenja ishte ndjenja toruruese e cënueshmërisë, ideja që, në mënyrë që vendosja e lidhjeve të ndodhë, duhet ta lejojmë veten që të shikohet nga të tjerët, vërtet të shikohet. Dhe e dini cfarë mendoj unë për cënueshmërinë? E urrej. Mendova me vete, ky është shansi që më jepet për ta luftuar e mposhtur me metrin tim. Do t'i hyj me kokë, do ta kuptoj deri në fund këtë fenomen, do shpenzoj një vit, do e zbërthej totalisht turpin, do kuptoj si funksionon cënueshmëria, dhe do e mposht duke u treguar me e zgjuar se ajo. Isha gati dhe shumë entuziaste. Siç e dini, nuk do përfundojë dhe aq mirë. (Të qeshura) E keni parasysh vetë. Mund t'ju flas gjithë ditën për turpin, po do më duhej të merrja borxh kohën e të gjithëve. Por, mund t'ju them se cili është thelbi -- dhe kjo mund të jetë një ndër gjërat më të rëndësishme që kam mësuar gjatë 1 dekade të kërkimit mbi këtë ndjenjë. Ai 1 vit që kisha menduar në fillim u zgjat në 6 vjet, me mijëra histori, qindra intervista të gjata, grupe fokusi. Në një pikë njerëzit filluan të më dërgonin fletë ditari me historitë e tyre -- mijëra të dhëna në gjashtë jet. Dhe në një farë mënyre ia mora dorën. Arrita të kuptoj çfarë ishte turpi, dhe si funskionon. Shkruajta një libër, publikova një teori, por diçka nuk më ecte -- cfarë nuk ecte ishte kjo: po t'i merrja njerëzit e intervistuar dhe t'i ndaja në njerëz që kishin vërtet ndjesinë e të qenit të denjë -- se këtu rrotullohet githcka, tek ndjesia e të qenit të denjë -- ata kanë ndjesi shumë të fortë dashurie dhe përkatësie -- dhe në njerëz që luftojnë për të, dhe njerëz që gjatë gjithë kohës pyesin veten nëse janë të mirë sa duhet. Kishte vetëm një ndryshore që ndante njerëzit që kanë ndjesi shumë të fortë dashurie dhe përkatësie nga ata që vërtet luftojnë fort për ta pasur këtë ndjesi. Ja cfarë ishte: njerëzit që kanë ndjesi të fortë dashurie dhe përkatësie besojnë se janë të denjë për dashuri dhe përkatësi. Vetëm kaq. Ata besojnë se ia vlejnë. Dhe për mua, pjesa më e vështirë e asaj që na mban jashtë lidhjeve, është frika se mos nuk jemi të denjë për të pasur lidhje. Kjo ishte diçka që si personalisht ashtu edhe profesionalisht ndjeja se kisha nevojë ta kuptoja më mirë. Çfarë bëra? Mora gjithë intervistat ku pashë shenja vetë-vlerësimi, pra ku kishte njerëz që jetonin duke menduar që ishin të denjë, dhe vetëm i studiova. Çfarë kanë të përbashkët këta njerëz? Unë kam një varësi "të vogël" ndaj zyrës, po nejse, muhabet tjetër ai. Kisha një dosje dhe një laps me ngjyrë, dhe po mendoja, si do ta titulloj këtë kërkim? Dhe fjalët e para që më erdhën ndërmend ishin 'me zemër të madhe'. Këta janë njerëz me zemër të madhe, që jetojnë me një ndjenjë të thellë denjësie. E shkruajta titullin në krye të dosjes, dhe fillova të studioj të dhënat. Në fakt kjo ishte gjëja e parë që bëra, katër ditë analizim intensiv të dhënash, ku iu ktheva gjithçkaje që kisha, nxorra intervistat, nxorra historitë, të gjitha rastet. Cila është tematika? Cili është motivi i përbashkët? Im shoq u largua nga qyteti bashkë me fëmijët, se unë gjithmonë bëhem si e fiksuar kur punoj, dhe vetëm shkruaj e shkruaj dhe s'bëj dot asgjë tjetër veç kërkimit. Ja çfarë zbulova: E përbashkëta e tyre ishte ndjesia e të guxuarit. Dhe më lejoni shkurtimisht të shpjegoj dallimin mes guximit dhe trimërisë. Guximi, sipas përkufizimit fillestar të fjalës kur hyri në gjuhën angleze -- vjen nga fjala latine 'cor', që do të thotë zemër -- pra kuptimi fillestar ishte të tregosh cili je me gjithë zemër. Kështu njerëzit që unë analizova kishin, me pak fjalë, guximin për të qenë jo të përkryer. Kishin dhembshurinë për t'u sjellë mirë me veten e tyre njëherë e më pas me të tjerët, sepse, siç rezultoi, nuk mund të tregojmë dhemshuri ndaj të tjerëve, nëse nuk sillemi mirë me veten tonë. Tipar tjetër i përbashkët ishte lidhja dhe --kjo ishte pjesa më e vështirë -- si rezultat i vërtetësisë së këtyre personave, ata ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga të qenurit kush ata mendonin se duhet të ishin për të qenë ata që janë vërtet. diçka që duhet bërë patjetër për të pasur lidhje. Një gjë tjetër e përbashkët ishte kjo: Ata e përqafojnë plotësisht cënueshmërinë. Ata besonin se çka i bënte të cënueshëm u jepte bukuri. Nuk thonin që cënueshmëria ishte e rehatshme, por as që ishte torturuese, siç deklaronin te intervistuarit e tjerë, gjatë kërkimit tim mbi turpin. Thonin vetëm që është e domosdoshme. Flisnin për dëshirën për të thënë "Të dua" i pari, dëshirën për të bërë diçka pa pasur garanci, vullnetin për të marrë frymë lirisht kur prisnin telefonatën e mjekut pas një mamografie. Ata janë të gatshëm të investojnë në një lidhje që mund ose jo të funksionojë. Këta te intervistuar mendonin se kjo është thelbësore. Personalisht mendova se kjo ishte tradhëti. Nuk më besohej që isha betuar t'i qendroja besnike kërkimit -- përkufizimi i kërkimit është të kontrollosh dhe parashikosh, të studiosh fenomene, për arsyen e vetme që të kontrollosh e të parashikosh. Dhe tani misioni im për të kontrolluar e parashikuar me nxorri para syve përgjigjen që mënyra më e mirë për të jetuar është me cënueshmëri, dhe jo duke kontrolluar dhe parashikuar. Kjo çoi në një krizë 'të vogël' -- (Të qeshura) -- që më ngjan më shumë me këtë. (Të qeshura) Dhe e bëra. Unë i vura emrin krizë, terapistja ime e quan rizgjim shpirtëror. Rizgjimi shpirtëror tingëllon më mirë se krizë, po ju siguroj se ishte një krizë. I lashë mënjanë të dhënat dhe shkova të gjej një terapist. Më lejoni t'ju them diçka: rasti më i mirë për të njohur veten është kur të merrni në telefon miqtë dhe t'i pyesni, "Mendoj se më duhet një terapist. A më rekomandon dot njeri?" Sepse pesë nga miqtë e mi m'u përgjigjën, "Uoooo. Unë s'do të kisha marrë përsipër." (Të qeshura) Dhe unë ia ktheja, "E çfarë do të thuash me këtë?" Ata më përgjigjeshin, "Thjesht po them, e ke parasysh, mos merr metrin tënd të gjykimit me vete." Dhe unë, "Dakord". Kështu që gjeta një terapiste. Në takimin e parë me të, Dianën -- mora me vete listën time me mënyrat e jetesës së atyre me zemër të madhe, dhe u ula. Diana më tha, "Si je?" Unë ia ktheva, "Shumë mirë. Jam shumë mirë." Ajo mu kthye, "Cili është problemi?" Tani, unë jam një terapiste që shkon te terapisti, se dhe ne na duhet të shkojmë te terapisti, se na pëlqejnë dënglat e tyre. (Të qeshura) I thashë, "Problemi im është që kam një luftë të brendshme." "Çfarë të mundon?", tha ajo. "Kam një problem me cënueshmërinë", i thashë. Dhe unë e di që cënueshmëria është thelbi i turpit dhe frikës dhe luftës sonë për të qenë të denjë, por duket se është dhe pikënisja e gëzimit, krijimtarisë, përkatësisë, dashurisë. Mendoj se kam një problem, dhe kam nevojë për ndihmë." "Megjithatë" - i thashë - "mos më hap biseda për familjen, fëmijërinë, e kësi dënglash." (Të qeshura) "Thjesht kam nevojë për strategji." (Të qeshura) (Duartrokitje) Faleminderit. Terapistja tund kokën. (Të qeshura) "Aq keq është, ë?", i thashë. Ajo më tha "S'është as mirë, as keq." (Të qeshura) "Eshtë thjesht kështu siç është." "O Zot," - thashë me vete, - "s'qenka për të pritur ndonjë gjë të hajrit". (Të qeshura) Si përfundim shkoi dhe mirë, dhe keq. Zgjati rreth një vit. Në përgjithësi ka njerëz që kur e kuptojnë se cënueshmëria dhe përzemërsia janë të rëndësishme, dorëzohen dhe fillojnë t'i përqafojnë këto ide. E para: Unë nuk jam një nga këta njerëz, dhe e Dyta: Une as nuk shoqërohem me njerëz të tillë. (Të qeshura) Për mua ishte një vit i gjatë dyluftimi të ashpër. Ishte vërtet një betejë e dhunshme psikologjikisht. Cënueshmëria më shtynte, e unë e shtyja mbrapsht. E humba betejën, por mendoj se rifitova jetën time. Kështu që iu ktheva kërkimit tim dhe shpenzova dy vitet e ardhshme duke u munduar të kuptoja se çfarë bënin njerëzit me zemër të madhe, cilat ishin zgjedhjet e tyre, dhe çfarë marrëdhënieje kemi ne me cënueshmërinë. Pse e luftojmë aq shumë? A jam vetëm unë duke luftuar me cënueshmërinë? Jo. Po ju tregoj ç'mësim nxorra. Ne e mpijmë cënueshmërinë -- kur jemi duke pritur atë telefonatën e rëndësishme. Ishte për të qeshur në fakt; dërgova një mesazh në Twitter dhe Facebook ku pyesja, "Si e përkufizoni cënueshmërinë? Çfarë ju bën të ndiheni të cënueshëm?" Dhe brenda një ore e gjysmë, kisha 150 përgjigje. Doja të dija çfarë mendojnë njerëzit. T'i kërkoj ndihmë bashkëshortit, sepse jam e sëmurë, dhe sapo jemi martuar; të marr iniciativën për seks me bashkëshortin tim; të marr iniciativën për seks me bashkëshorten; të më refuzojnë; ti kërkoj dikujt të dalim; të pres për telefonatën e doktorit; të më pushojnë nga puna; të pushoj njerëz nga puna -- kjo është bota në të cilën jetojmë. Jetojmë në një botë të cënueshme. Dhe një nga mënyrat që zgjedhim për t'u përballur me të është të mpijmë cënueshmërinë. Dhe mendoj se ka prova -- dhe kjo nuk është e vetmja arsye që provat ekzistojnë, por mendoj që është një shkak i rëndësishëm -- ne jemi brezi më i mbytur nga borxhet, më obez, brezi me më shumë varësi fizike e psikologjike, e të mbytur me ilaçe në historinë e SH.B.A. Problemi me këtë përqasje -- dhe këtë e mësova nga kërkimi -- qëndron në pamundësinë për të mpirë emocionet në mënyrë selektive. Nuk mund të thuash, ja ku i kam gjërat e këqia. Kjo është cënueshmëria, ky është pikëllimi, ky turpi, kjo frika, e ky zhgënjimi. Nuk dua ti ndjej këto gjëra. Hajde tani po pi ca birra e po ha një copë kek. (Të qeshura) Nuk dua ti kem këto ndjenja. E kuptoj dhe që e qeshura juaj është e qeshur pohuese. Unë fitoj bukën e gojës duke hyrë në jetët tuaja. O Zot. (Të qeshura) Nuk mund të mpish ndjenjat e vështira pa mpirë edhe emocionet e mira. Nuk mund të mpish në mënyrë selektive. Kështu që duke u munduar të mpijmë ndjenjat 'e këqia' mpijmë dhe gëzimin, mpijmë mirënjohjen, mpijmë lumturinë. Dhe pastaj ndihemi të mjerueshëm, jemi gjithë kohën duke kërkuar për një qëllim dhe kuptim në jetë, ndihemi të cënueshëm, dhe si përfundim pimë nja dy birra dhe hamë një copë kek. E gjitha kjo kthehet më pas në një cikël të rrezikshëm. Besoj se një nga gjërat për të cilën duhet të fillojmë të mendojmë është pse dhe si i mpimë ndjenjat. Dhe nuk është e thënë që ka të bëjë vetëm me varësinë. Dicka tjetër që ne bëjmë është ta quajmë të sigurt cdo gjë të pasigurt. Feja është kthyer nga besim dhe mister në diçka të sigurt. Unë e kam mirë, ti gabim. Mbylle gojën. Kjo është e gjitha. Qënkemi të sigurt. Sa më shumë frikë kemi, aq më të cënueshëm jemi, e aq më shumë frikë kemi. Kështu duket sikur funksionon politika sot. Nuk ka më bisedë. Nuk ka më bashkëbisedim. Ka vetëm fajësim. A e dini si e përshkruajnë fajin kërkuesit? Si një mënyrë për të shkarkuar dhimbjen dhe vështirësinë. Ne duam gjithcka perfekte. Të gjithë duam që jeta jonë të jetë perfekte po nuk funksionon ashtu. Se e di cfarë bëjmë: marrim dhjamë nga të ndenjurat tona dhe e vendosim në faqe. (Të qeshura) Gjë për të cilën shpresoj, pas 100 vjetësh, njerëzit do shohin pas dhe do thonë "Wow". (Të qeshura) Dhe më e keqja është që ne injektojmë perfeksionizmin tek fëmijët tanë. Më lejoni t'ju tregoj ç'mendoj për fëmijët. Ata janë të programuar për të luftuar që kur lindin. Dhe kur mban në krahë ato krijesa të vogla perfekte, detyra jonë nuk është të themi "Shiko sa perfekte që është. Detyra ime është thjesht që ta mbaj perfekte -- të sigurohem që futet në skuadrën e tenisit që në klasë të pestë, dhe në Yale në klasë të shtatë." Në fakt nuk është kjo detyra jonë. Detyra jonë është që t'i themi, "E di cfarë? Nuk je perfekte, dhe je programuar për ta luftuar, por je e denjë për dashuri dhe përkatësi." Kjo është detyra jonë. Po të kemi një brez fëmijësh që rriten në këtë mënyrë, mendoj se do i jepnim fund probleme që shohim sot. Ne pretendojmë që veprimet tona nuk ndikojnë tek njerëzit. E bëjmë këtë gjithë kohës në jetën private. Të njëjtën gjë bëjnë dhe korporatat -- qoftë një shpëtim falimenti, një derdhje nafte, një tërheqje e produkteve të dëmshme nga tregu -- pretendojmë që veprimet tona nuk kanë ndonjë impakt të madh tek njerëzit që na rrethojnë. Unë do i thoja këtyre kompanive, që kjo nuk është sfida jonë e parë. Duhet thjesht të jemi autentikë dhe të vërtetë dhe të themi, "Na vjen keq. Do ta rregullojmë." Por ka edhe një mënyrë tjetër, dhe me këtë do përfundoj. Kjo është ajo që kam zbuluar: le ta lejojmë veten tonë të shikohet nga të tjerët, të shikohet thellësisht, në mënyrë të cënueshme; le të dashurojmë me gjithë shpirt, edhe pse nuk kemi garanci -- dhe kjo është vërtetë e vështirë, ua them si prind, është tepër e vështirë -- të praktikojmë mirënjohjen dhe gëzimin në momentet tona më të vështira, atëherë kur mendojmë, "A mundem vërtet të të dua kaq shumë? A mund të besoj në këtë gjë me kaq pasion? A mund të jem i ashpër për dicka?" thjesht të jemi në gjendje të ndalojmë për një moment, dhe në vend që të mendojmë se gjithkca do jetë katastrofike, të themi, "Jam thjesht mirënjohëse, sepse të ndihem e cënueshme do të thotë që jam ende gjallë." Dhe e fundit, që është dhe më e rëndesishmja, duhet të besojmë se jemi të mirë sa duhet.. Sepse kur pikënisja e gjerave është fjalia "Unë jam e mirë sa duhet," fillojmë të mos bërtasim më dhe fillojmë të dëgjojmë, jemi më të dashur e më të sjellshëm ndaj njerëzve që na rrethojnë, e jemi më të dashur e më të sjellshëm ndaj vetes sonë. Kaq kisha. Faleminderit. (Duartrokitje)